Katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin aktual, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në listën e personave për të cilët propozohen sanksione, janë: Ivan Boshnjak dhe Stojan Vujko, nga kompania Millennium Team, Davor Macura, nga Alta Banka, dhe Zhelko Mitroviq, pronar i televizionit Pink.
Sipas letrës së 14 tetorit, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, Wilson kërkon që këtyre katër biznesmenëve t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i sistemit financiar amerikan.
Wilson i është drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit në cilësinë e bashkëkryesuesit të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit.
Në kërkesë, katër biznesmenët përshkruhen si bashkëpunëtorë të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët i shfrytëzojnë burimet publike për pasurim personal.
“Ata mbajnë në këmbë regjimin e tij të korruptuar, kanë vepruar për të minuar interesat e SHBA-së në Serbi dhe në rajon, si dhe janë përfshirë në mënyrë aktive në manipulimin e zgjedhjeve të 25 tetorit”, thuhet në letër.
Millennium Team dhe Alta Banka i kanë hedhur poshtë këto pretendime në përgjigjet e tyre për Radion Evropa e Lirë, duke i cilësuar si të pavërteta, ndërsa Zhelko Mitroviq nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave.



