Elvisi nga Fieri dhe bebushja e tij, të cilën e mbante në kangur, teksa ngjiti shkallët e kryeministrisë, u kthyen sot në simbolin e paqes së protestës, që prej orësh me radhë ishte shoqëruar nga përplasje të dhunshme. I riu së bashku me vajzën e tij, shërbyen si një lloj garancie për ti dhënë fund dhunës policore, ndërsa më pas qytetarët u shpërndanë paqësisht, për t’u rikthyer sërish nesër paradite përpara Ministrisë së Arsimit. Gazetarja Jonida Mukja ka rrëfyer historinë e Elvisit, që e shtynë atë të bëhej pjesë e një proteste që dukej e dhunshme, së bashku me vajzën e tij disa muajshe.
Rrëfimi i gazetares: Sot takova Elvisin. Për shkak të punës kisha folur disa herë me të, por nuk e njihja personalisht dhe nuk e kisha takuar kurrë. Rastësia mbret i botës.
I ri në moshë, baba i një vajze të vogël. Punonte kamarier, jeton me qira në periferi të Tiranës dhe, siç më tha vetë, mezi ia del të mbyllë muajin. Sot, kishte ardhur me vajzën në krahë, u ngjit përpara Kryeministrisë dhe thoshte se mua me vajzën nuk kanë çfarë t’më bëjnë, ndryshe kta (policët) na vrasin. E si për çudi, nga ai momeNt nuk pati më as gaz, as ujë, as gurë.
Ndoshta e bija nuk do ta mbajë mend këtë ditë që babai e mori me vete mes turmës së protestës. Por kur të rritet, do të kuptojë se babai i saj me të në krahë kërkonte një vend ku puna e tij të mjaftojë për të rritur të bijën me dinjitet dhe zemër të madhe.



