Një konflikt i hershëm mes dy të rinjve, që dikur kanë qenë shokë të afërt, përfundoi në një tentativë vrasjeje brenda një kalçetoje në Shkodër.
Klaus Fermosi, 25 vjeç, dyshohet se ka shkuar në ambientet e fushës sportive mbrëmjen e 11 tetorit me qëllimin për të vrarë Jozefin Ujkën, 26 vjeç, por tentativa e tij ka dështuar pasi pistoleta me të cilën tentoi ta qëllonte nuk është shkrepur.
Pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Klaus Fermosin, i cili dyshohet se ka tentuar të ekzekutojë me armë zjarri 26-vjeçarin brenda ambienteve të kalçetos.
Ndërkohë, blutë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas të dhënave paraprake, 25-vjeçari ka hyrë në ambientet e fushës sportive dhe i ka drejtuar armën e zjarrit Jozefin Ujkës, duke tentuar ta qëllojë. Por pistoleta nuk ka shkrepur, duke bërë që tentativa e dyshuar për vrasje të mos përfundonte në tragjedi.
Në ato momente, në kalçeto ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë duke larguar Fermosin nga vendi i ngjarjes.
Kjo ndërhyrje, së bashku me faktin që arma nuk u shkrep, bëri që Jozefin Ujka t’i shpëtonte mrekullisht asaj që mund të kishte përfunduar në një vrasje.



