Duket se shprehja “delja që ndahet nga kopeja e ha ujku” i ka ardhur në mendje edhe deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Vetëm pak ditë pasi votoi kundër hartës së re territoriale dhe shprehu rezerva për shkrirjen e 15 bashkive, Sinaj ka bërë kthesën dhe sot ka votuar pro draftit të ri në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Ndryshimi i qëndrimit vjen pas mbledhjes së grupit socialist ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Disa raportime mediatike e kanë lidhur këtë kthesë me qëndrimin e mbajtur nga Rama në mbledhje, ndërsa nuk ka një deklaratë publike nga Sinaj që të shpjegojë arsyen e ndryshimit.
Harta e re territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes dhe bashkimit të 15 bashkive.
Ndërkohë, Erion Braçe, i cili bashkë me Sinajn kishte votuar kundër në mbledhjen e mëparshme, këtë herë nuk ka votuar as pro dhe as kundër draftit.
Pra, Sinaj e gjeti rrugën për t’u rikthyer në kope. Tani mbetet të shihet nëse edhe Braçe do të ndjekë të njëjtën rrugë.



