Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj Rusisë pas vdekjes së një studiueseje 28-vjeçare në një laborator në Siberi, ku kryhen kërkime mbi murtajën pulmonare, si dhe pas masave të karantinës të vendosura më pas.
Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një note zyrtare diplomatike, i ka kërkuar Moskës të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për njoftimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e shëndetësisë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, të cituar nga “The Wall Street Journal”, Rusia ka dhënë shumë pak informacion lidhur me rrethanat e vdekjes së studiueses. Uashingtoni ka paralajmëruar se moszbulimi i detajeve mbi rastin mund të përbëjë shkelje të detyrimeve ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik.
Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të zhvillojë shumë shpejt një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin për rastin e dyshuar të murtajës pulmonare në rajonin e Irkutskut, në Siberi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë thirrje për kujdes dhe ka theksuar se ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur.
“Mund të mos ketë asgjë. Mund të jetë më serioze nga sa mendojmë. Nuk e dimë”, deklaroi Rubio.
Ndërkohë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë bërë të ditur se po monitorojnë situatën. Sipas CDC-së, deri tani nuk ka asnjë tregues për një kërcënim më të gjerë ndaj Shteteve të Bashkuara.



