Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të kërcënimit ndaj biznesmenit Zija Shulku, pronar i një pike karburanti në Peshkopi, të cilit i ishte kërkuar nën kërcënim shuma prej 50 mijë eurosh. I dyshuari është një 21-vjeçar, Engjell Karoshi, i cili është identifikuar nga policia përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.
Biznesmenit i ishte dërguar një kuti picash, brenda së cilës ndodhej kërkesa për paratë dhe paralajmërimi se, nëse nuk paguante shumën, do t’i hidhej në erë biznesi.
Brenda kutisë ishte vendosur edhe një telefon i lidhur me tela, për të krijuar përshtypjen e një eksplozivi. Por, nga verifikimet e forcave xheniere rezultoi se nuk kishte lëndë plasëse.



