Mes sfidave të Francës së sotme dhe dialogut me Evropën, përkushtimit ndaj Marisë, rëndësisë së edukimit dhe artit, urgjencës së paqes dhe plagëve shoqërore, udhëtimi i Papës Leoni XIV në Francë do të jetë i pasur me tema dhe takime. Vizita e tij e pestë apostolike ndërkombëtare do të ndërthurë historinë me aktualitetin, kujtesën me të ardhmen, përmes ndalesave në vende me një rëndësi të veçantë, si Parisi, Lurdë dhe Metz.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke paraqitur programin e udhëtimit, theksoi se Papa do të takohet me realitete të ndryshme të Francës, një vend që, ndonëse në disa raste duket i larguar nga rrënjët e tij, po përjeton shenja të një zgjimi shpirtëror, veçanërisht ndër të rinjtë.
Një prej momenteve të rëndësishme të vizitës së Papës do të jetë ndalesa në selinë e UNESCO-s, me rastin e 75-vjetorit të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë. Aty do të nënshkruhet një marrëveshje kuadër dhe do të trajtohen arti, edukimi dhe roli i tyre në shoqëri.
Në qendër do të jetë edhe mbrojtja e jetës njerëzore dhe kundërshtimi i një vizioni thjesht utilitar për njeriun dhe jetën. Do të trajtohen gjithashtu edhe çështjet e mjedisit dhe Inteligjencës Artificiale, në dritën e enciklikës së Papës Magnifica humanitas.
Një rëndësi të veçantë do të ketë edhe ndalesa e Leonit XIV në Metz, qyteti ku lindi Robert Schuman, një prej themeluesve të projektit evropian. Sipas Brunit, Evropa do të jetë në qendër të fjalimit të Papës në Metz, së bashku me dialogun ndërfetar. Përfaqësues të feve të ndryshme do të marrin pjesë në një takim ku pritet të lexohet një apel i përbashkët.
Në takimin “Në rrënjët e Evropës”, që do të zhvillohet në Qendrën e Kongreseve Robert Schuman, pritet të marrin pjesë edhe personalitete të institucioneve evropiane. Nuk përjashtohen takime dypalëshe private me liderë ndërkombëtarë. Drejtori i Sallës së Shtypit theksoi se rëndësia e vizitës së Leonit XIV në Metz nuk do të varej vetëm nga prania e krerëve të shteteve, por mbi të gjitha nga mesazhi i Papës, i cili do t’u drejtohet të gjithëve dhe do të trajtojë çështje që prekin të gjithë kontinentin evropian.



