Ish ministri Beqaj këshillon Ramën e Berishën: Ndryshoni Kodin Penal, po na arrestojnë

spot_img
Advertisements

Ish-ministri Ilir Beqaj ka bërë një reagim në lidhje me ndryshimet që pritet të bëhen nga Kuvendi, në Kodin e Procedurës Penale.

Nisur edhe nga eksperienca personale, në përballjen me sistemin e drejtësisë, Beqaj ka bërë 10 sugjerime drejtuar grupit të punës, mbi Kodin e Procedurës Penale.

Së pari, Beqaj propozon se duhet të vendosen sanksione për prokurorët ose organet e tjera të drejtësisë kur nuk respektohen procedurat e kodit penal.

“Popullojeni Kodin e Procedurës Penale me sanksione ndaj prokurorëve në rast të moszbatimit të tij. Nuk ka shkelje të lehtë apo shkelje të rëndë të një ligji, aq më shumë të një ligji i cili, që në krye të tij, thotë që është i detyrueshëm për gjithë organet shtetërore.”– shprehet Beqaj.

Në pikën e dytë, ish-ministri sugjeron kontroll automatik i masave të sigurisë. Me pak fjalë, nëse prokurori nuk kërkon rivlerësimin periodik të masës së arrestit, gjykata ta bëjë automatikisht, duke i dhënë edhe mbrojtjes të drejtën ta kërkojë.

Beqaj sjell në vëmendje pikën 6 të nenit 246 të Procedurës Penale, ku parashikohet se gjatë fazës së hetimeve, kur janë dhënë masa shtrënguese sigurie, çdo dy muaj gjykata duhet të rivlerësojë këtë masë sigurie. 

Por sipas Beqajt, Prokurorët rëndom nuk e zbatojnë këtë dispozitë. 

“Në një situatë të tillë, unë propozoj që, nëse prokurori nuk e përmbush këtë detyrim, kontrolli gjyqësor duhet të aktivizohet automatikisht, pa u kushtëzuar nga iniciativa e tij. Gjykata duhet të caktojë kryesisht seancën për rivlerësimin e masës. Njëkohësisht, personit nën masë sigurimi duhet t’i njihet shprehimisht e drejta që, nëpërmjet mbrojtësit, të kërkojë zhvillimin e këtij kontrolli.”- shkruan Beqaj.

Më tej ish-ministri sugjeron akses në kompjuter për personat në paraburgim. Ai kërkon të lejohet përdorimi i rregullt dhe efektiv i pajisjeve kompjuterike për të parë dosjen dhe përgatitur mbrojtjen.

Duke vijuar tek dosja, Beqaj shprehet se për dosjet shumë voluminoze ose komplekse, mbrojtja të mund të kërkojë më shumë kohë për të studiuar materialet dhe paraqitur pretendimet. Kështu, sugjerohet zgjatja e afatit 10-ditor të parashikuar. 

Po ashtu, Beqaj sugjeron se i akuzuari dhe mbrojtja duhet të marrin një kopje të plotë të dosjes, pa pagesë, menjëherë pas përfundimit të hetimeve, mundësisht në format elektronik.

Kujtojmë këtu se ish-ministrit iu kërkua të paguajë 120 mijë lekë (të reja) për të siguruar të gjithë fashikujt e dosjes hetimore në ngarkim të tij. 

Më tej, në sugjerimin e gjashtë, Beqaj propozon kontrollin e ligjshmërisë para gjykimit të shkurtuar.

Sipas Beqajs, duhet të ndahet shqyrtimi i pretendimeve për prova të paligjshme nga kërkesa për gjykim të shkurtuar, në mënyrë që kundërshtimi i provave të paligjshme të mos humbasë për shkak të zgjedhjes së gjykimit të shkurtuar.

Beqaj ndalet edhe tek provat dixhitale. Sipas tij, duhet të krijohet një regjim i plotë për telefonat, kompjuterët dhe të dhënat elektronike: kur mund të sekuestrohen, kur mund të kontrollohen, çfarë të dhënash mund të kërkohen, si mbrohen të dhënat private dhe si dokumentohet çdo akses.

Beqaj ndalet edhe tek mbyllja e personave të paraburgosur në kafazin e xhamit. Pas eksperiencës së tij, ish-ministri sugjeron që duhet të kufizohet vendosja automatike në dhomën e sigurisë gjatë seancave Beqaj sugjeron që për personat në paraburgim, gjykata të vendosë individualisht dhe me vendim të arsyetuar se ku do të qëndrojnë gjatë seancës.

Më tej, ai sugjeron më shumë mundësi ankimi për personat në masën e paraburgimit. 

Beqaj propozon se duhet të rishikohen vendimet që aktualisht janë të paankimueshme, veçanërisht ato që prekin lirinë dhe të drejtat procedurale, duke garantuar kontroll nga një gjykatë më e lartë.

Në përfundim, ish-ministri bën një sugjerim të përgjithshëm: forcimi i garancive të të pandehurit

I gjithë ndryshimi i Kodit të orientohet drejt prezumimit të pafajësisë, procesit të rregullt ligjor dhe një mbrojtjeje reale dhe efektive. Propozimet synojnë ta bëjnë procedurën penale më garantuese për të pandehurin, duke forcuar kontrollin gjyqësor, të drejtën e mbrojtjes, aksesin në dosje dhe rregullat për provat digjitale.

spot_img

Latest articles

Related articles