Shpallja e verdiktit drakonik për ish-krerët e UÇK-së e ka tronditur Kosovën, mbarë kombin shqiptar por dhe më gjerë. Pikërisht, në këto çaste, kohë krize, fantazmat e qarqeve të së kaluarës tentojnë të uzurpojnë opinionin publik duke kanalizuar zemërimin e drejtë në drejtime politike që nuk u shkojnë përshtat interesave kombëtare.
Retorika antiperëndimore, me referenca “sovraniste”, qofshin të rrymës folkloriste, majtiste, enveriste, fundamentaliste, etj., të çon në qorrsokak, pasi nuk është vetëm e gabuar, por edhe dritëshkurtër. Tekefundit, nuk duhet harruar se një ndër propagandat më të fuqishme të Beogradit zyrtar ishte pikërisht e kësaj linje, se gjoja Kosova paraqet rrezik për Europën.
Historikisht, getoizimi dhe izolacionizmi janë destruktivë, njësoj si çdo akt politik i bazuar mbi emocione. Shembull konkret i kësaj qasjeje është politika e shteteve të dështuara, të cilave nuk ma do mendja se dikush mund t’ua ketë lakmi, qoftë për gjendjen e tyre, qoftë për suksesin e tyre strategjik. (BRICS-i apo rreshtimi me botën Lindore nuk besoj se janë alternativë.)
A ka Kosova kundërshtarë në Europë? Patjetër që po. Por, në shumicën e rasteve, ata u përkasin rretheve të margjinalizuara: figurave, organizatave ose partive të së djathtës dhe së majtës ekstreme. Njëkohësisht, ndër mbështetësit më të rëndësishëm të Kosovës kanë qenë pikërisht figura eminente politike, morale dhe intelektuale europiane. Ndër ta mund të përmenden Tony Blair, Gerhard Schröder, Massimo D’Alema, Jacques Chirac, Václav Havel, Papa Gjon Pali II, Otto von Habsburg, Bernard-Henri Lévy, Slavoj Žižek etj.
Të mos përmendet pastaj SHBA-ja.
Prandaj, historikisht, pa mbështetjen e botës perëndimore, “kolonialiste”, e cila po fyhet kaq shumë, jo vetëm që nuk do të kishte shtet shqiptar, por as Kosovë të pavarur.
Por të kthehemi në temë.
Një institucion si Gjykata Speciale, e cila juridikisht është kosovare, nuk përfaqëson domosdoshmërisht “Europën”, qoftë si kontinent, qoftë si qytetërim. Për më tepër, verdikti zyrtar i së cilës distancohet nga fajësimi i UÇK-së, po cilësohet nga figura të shquara perëndimore si “drakonik”, “i dyshimtë” dhe “i kompromentuar”.
Nga ana tjetër, reagimet e shteteve aleate europiane konfirmojnë mbështetjen e palëkundur ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të UÇK-së gjatë luftës për liri. Prandaj, pretendimi dhe narrativa se Europa është kundërshtare e Kosovës janë të pabazuara, të gabuara faktikisht, të rrezikshme dhe, mbi të gjitha, dashakeqe politikisht. Që nga Rilindja e këndej, Europa dhe vlerat e saj qytetëruese moderne kanë qenë frymëzim dhe pikësynim i kombit tonë gjatë rrugës së gjatë dhe të mundimshme për liri.
Prandaj, duke besuar në drejtësi, presim me durim apelin dhe përfundimin e plotë të procesit, pasi, siç e dimë, verdikti aktual nuk është përfundimtar dhe as i pagabueshëm. Rasti i gjeneralit kroat, Ante Gotovina, është shembull konkret.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vuajtja e popullit shqiptar nuk mund të përdhosen, as të shtrembërohen. Qëndresa shekullore, stoicizmi i Rugovës, lufta dhe triumfi i UÇK-së ndaj regjimit totalitar të Serbisë së Millosheviqit janë shënuar me shkronja të arta në historinë e lavdishme të luftës për liri, demokraci dhe dinjitet. Trashëgimi kjo e vlerësuar në mbarë botën Perëndimore, të cilës, me apo dëshirën e qarqeve të caktuara, i takojmë me shekuj.
Albert Bikaj
Politolog, historian dhe përkthyes nga Malësia, Mal i Zi



