Partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) fiton rajonin e parë! Çfarë qëndrimi kanë për shqiptarët

spot_img
Advertisements

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar sot zgjedhjet në landin gjermanolindor Sachsen-Anhalt me rreth 44,5 për qind të votave, duke i lënë partitë e tjera shumë prapa.

Është një rezultat historik për një parti që shërbimet gjermane të mbrojtjes së kushtetutës e klasifikojnë si ekstremiste të djathtë.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse AfD-ja do të mund ta formojë qeverinë, pasi partitë e tjera kanë përjashtuar bashkëpunimin me të. Nuk dihet po ashtu nëse ka siguruar shumicën për të qeverisur vetëm.

Por ia vlen të shihet se çfarë politike premton AfD-ja e Sachsen-Anhaltit.

Ajo kërkon që në shkolla të ruhet dhe, nëse është e mundur, të zgjerohet mësimi i gjuhës ruse dhe që të rekrutohen edhe rusishtfolës si mësues. Në programin e saj kërkon gjithashtu rikthimin e shkëmbimeve të nxënësve me Rusinë.

Në politikën e jashtme, AfD-ja e Sachsen-Anhaltit kërkon ndërprerjen e mbështetjes gjermane për Ukrainën dhe rikthimin e marrëdhënieve ekonomike e kulturore me Moskën.

Në nivel federal, AfD-ja kërkon gjithashtu largimin e Gjermanisë nga eurozona dhe një referendum për qëndrimin e Gjermanisë në unionin monetar. Njëra nga kryetaret e AfD-së Alice Weidel ka kërkuar ndërkohë edhe daljen e Gjermanisë nga Schengeni.

Lidhur me Kosovën: AfD-ja ka mbajtur prej vitesh një qëndrim të hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe në disa pjesë të partisë ekziston një qasje dukshëm miqësore ndaj Serbisë dhe armiqësore e populliste ndaj Kosovës. Edhe për këtë arsye, është me rëndësi të shihet se çfarë force politike po bëhet sot partia më e madhe në Sachsen-Anhalt. Sepse kjo mund të ketë efekte edhe në nivel nacional.

Pra, nuk bëhet fjalë thjesht për një protestë ndaj qeverisë së Berlinit. Bëhet fjalë për një projekt politik që prek orientimin evropian të Gjermanisë, marrëdhëniet me Rusinë, Ukrainën, arsimin, migracionin dhe politikën ndaj Ballkanit.
Fakti politik i sotëm është i pamohueshëm: AfD-ja i ka mundur bindshëm partitë tradicionale në Sachsen-Anhalt. Pyetja e madhe tani është nëse do të mund ta kthejë këtë fitore në pushtet. Nëse ndodh kjo, ateherë është sinjal për mbarë Gjermaninë. Shumë kërkesa të AfD-së janë ose të pafinancueshme, ose juridikisht të palejueshme.

PS. Situata në Kosovë është “stabile”: qeveri me mandat të rregullt nuk ka, president të zgjedhur nuk ka, disa luajnë bixhoz dhe duan ta çojnë vendin në zgjedhje (për herë të katërt brenda 2 viteve), disa kërcënohen se së shpejti do ta kallin Kosovën dhe në gjithë këtë tollovi – huliganët parapolitikë vringëllojnë me thika e me shkrepse. Perëndimi po ndryshon, Kosova e kumarxhinjve politikë jo.

spot_img

Latest articles

Related articles