Në një kohë kur kostoja e jetesës po rëndon gjithnjë e më shumë mbi familjet dhe çmimet vazhdojnë të mbeten një shqetësim në të gjithë Europën, Greqia ka ndërmarrë hapa konkretë për të lehtësuar barrën mbi xhepin e qytetarëve. Presionet mbi tregjet janë shtuar edhe nga pasiguritë ndërkombëtare dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar veçanërisht në çmimet e energjisë dhe transportit.
Në këtë kuadër, qeveria greke ka kaluar në një fazë të re të Iniciativës Kombëtare për Uljen e Çmimeve, ku më shumë se 1,740 kode produktesh janë përfshirë në listat me çmime të reduktuara. Nisma përfshin 12 rrjete supermarketesh dhe tre rrjete që tregtojnë artikuj shkollorë e lodra dhe do të vijojë deri në fund të dhjetorit.
Shifrat tregojnë se uljet nuk janë vetëm simbolike. Nga 875 marka të analizuara, 191 produkte kanë një ulje prej të paktën 10%, ndërsa 76 produkte janë ulur me 15% ose më shumë. Në 40 raste ulja arrin të paktën 20%, ndërsa 11 produkte kanë zbritje prej 30% ose më shumë. Ulja më e lartë e regjistruar arrin në 44%.
Nga ushqimet te produktet e përditshme
Ndryshimet janë të dukshme në disa prej kategorive që prekin drejtpërdrejt shportën familjare. Higjiena personale kryeson me 146 produkte, e ndjekur nga qumështi dhe vezët me 143 dhe makaronat, orizi e bishtajoret me 100 produkte.
Në kategorinë e qumështit dhe vezëve, ulja mesatare shkon në rreth 8.7%, ndërsa në salca, mustardë, majonezë dhe produkte të ngjashme arrin rreth 17.2%. Edhe çokollatat dhe produktet e çokollatës kanë një ulje mesatare prej rreth 12.5%, me disa produkte që kalojnë 20%.
Një tjetër element interesant është se i njëjti produkt mund të ketë ulje të ndryshme në varësi të supermarketit.
Në prag të vitit të ri shkollor, një pjesë e rëndësishme e masës lidhet edhe me furnizimet për nxënësit. Nga 403 kode të analizuara, 373 produkte, ose më shumë se 9 në 10, kanë ulje prej të paktën 10%.
Në disa raste zbritjet arrijnë në 25% dhe madje 36%, ndërsa ulja mesatare e kategorisë është rreth 12%. Fletoret, blloqet dhe letra kanë një ulje mesatare prej rreth 17%, duke e bërë këtë një prej kategorive ku ndërhyrja duket më e ndjeshme për familjet.
Edhe mishi përfshihet në përpjekjen për frenimin e çmimeve. Ky vendim shtrihet edhe te mishi i freskët. Më shumë se një e katërta e kodeve të përfshira kanë ulje dyshifrore. Në total, 28 produkte kanë ulje prej të paktën 10%, ndërsa katër prej tyre kalojnë 25%, me uljen më të madhe që arrin në 28.1%.
Në produktet me markë private, ulja mesatare është rreth 8%, ndërsa ulja maksimale e regjistruar arrin në 33%.
Për të frenuar një tjetër burim të rëndësishëm të shtrenjtimit, qeveria greke ka vendosur gjithashtu të zgjasë për shtatorin subvencionin për naftën, në masën 10 cent për litër. Kostoja fiskale e masës vlerësohet në rreth 30 milionë euro.
Arsyetimi është i drejtpërdrejtë, karburanti ndikon jo vetëm në xhepin e shoferëve, por edhe në koston e transportit të mallrave dhe, rrjedhimisht, në çmimin final që paguan konsumatori.



