Gazetari dhe analisti amerikan Ferid Zakaria (Fareed Zakaria) shkroi këtë javë një artikull interesant për një ndër çështjet më të mprehta të momentit, e cila do vijë edhe në Mesdhe pas pak kohësh.
Së fundmi, Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani firmosën një marrëveshje sigurie për mbrojtje reciproke. Analisti amerikan e nis artikullin e tij duke pyetur se si ka mundësi që dy vende, të cilët kanë qenë në armiqësi të hapur me njëri – tjetrin prej dekadash, ranë dakord të shkojnë në luftë për të mbrojtur njëri – tjetrin?
“Për tetë dekada, SHBA-të ndërtuan diçka po aq të fuqishme sa aeroplanmbajtëset dhe skuadriljet e F-35-ave: besueshmërinë. Aleatët besonin se angazhimet amerikane do të përçoheshin nga njëra administratë tek tjetra. Kundërshtarët kuptuan se kërcënimet amerikane, ndonëse të ekzagjeruara me raste, peshën e kishin reale. Sistemi nuk ishte i përsosur. Uashingtoni shkeli premtimet dhe kreu gabime. Por supozim i gjerë ishte se SHBA-të qenë aktor i parashikueshëm dhe fjala e presidentit kishte kuptim.”, shkruan Zakaria.
Sipas tij, përgjatë kësaj lufte me Iranin, SHBA-të kanë cënuar besueshmërinë e tyre tek aleatët në vendet e Gjirit dhe në Evropë. Presidenti Tramp një herë kërcënon se nuk do e mbrojë Evropën nga Rusia, pastaj thotë se do e bëjë, thotë analisti amerikan.
Paparashikueshmëria është e mirë për volatilitetin e bursave ditore, për shit-blerjet e pasurive të patundshme, por jo kur bisedojmë me aleatët për çështje të rëndësishme sigurie. Sa më shumë zgjat kjo pasiguri, aleatët nuk bëhen më të bindur, kërkojnë më shumë pavarësi, shkruan Zakaria.
Ai sjell këto shembuj: Koreja e Jugut është kthyer në shitësin e dytë më të madh i armëve nëpër vendet evropiane të NATO-s dhe po ndihmon në furnizimin e mbrojtjes ajrore të Gjirit me sisteme më të lira se ai “Patriot”. Banka qendrore holandeze ka transferuar shërbimet kritike cloud tek një kompani evropiane për të zvogëluar varësinë nga teknologjia amerikane. Ndërsa tani Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani po ndërtojnë një arkitekturë sigurie të vetën. Këto lëvizje nuk janë prerje e lidhjeve me Uashingtonin, por tregojnë humbje të thellë besimi.
Marrëveshja e Përbashkët e Mbrojtjes në Mekë
Më 7 gusht të këtij viti, Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani thanë se një sulm i armatosur ndaj njërit prej tyre do shihet si sulm ndaj të gjithëve. Detajet janë të pakta, por këtë fundjavë presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se pritet të bashkohet edhe Egjipti në këtë marrëveshje.
Sipas shumë gjeopoliticienëve dhe financierëve, një korridor energjetik dhe tregtar nga India në Lindjen e Mesme dhe më pas në Evropë (IMEC), lançuar gjatë samitit të G20-ës, në 2023-shin, në Nju Delhi, mund të jetë njëra prej arsyeve që shpjegon se sa dinamike është situata rajonale. Porte, hekurudha, tubacione energjie/hidrogjeni, kabllo dixhitale do lidhin Indinë me Evropën përmes Arabisë Saudite, Jordanisë, Izraelit dhe portave të Mesdheut. Projekti synon të shkurtojë kostot e tranzitit me rreth 40%, të diversifikojë zinxhirët e furnizimit larg Hormuzit dhe Suezit, si dhe të kundërshtojë iniciativën kineze të Rrugës së Mëdafshit.
Nëse e kuptuam qartë, vende si Turqia, Egjipti dhe Irani janë lënë jashtë projektit. Garant i tij ka dalë Izraeli, ndërsa në qendër është Arabia Saudite, pasi aty pikëtakohen gjithë rrugët. Ndërsa Izraeli ka marrë përsipër të kthehet qendra e zhvillimeve rajonale dhe kontinentale, vlen të pyesim pse Evropa dhe SHBA-të nuk reaguan kur Saudia, Turqia dhe Pakistani thanë “jo, faleminderit!”.
Pesha financiare saudite bashkë me kapacitetin ushtarako-industrial turk dhe forcat konvencionale/bërthamore pakistaneze po krijojnë një pol autonom që nuk është më shumë e thjeshtë ta anashkalosh.
Teksa treshja e mësipërme ka vënë pikat mbi “i” në Lindjen e Mesme, në Mesdheun lindor Izraeli ka konsoliduar aleancën e tij me Greqinë dhe Qipron. Edhe kjo marrëveshje është nën bekimin amerikan. Sipas disa analistëve grekë, mjafton që Athinës t’i thuash se do e luftojmë bashkë Turqinë dhe çdo derë të hapet. Një pjesë e analistëve janë pro, një tjetër thotë se nuk mund të jemi “all in” nëpër këto projekte miliardëshe dhe që zgjasin me dekada.
SHBA-të po favorizojnë parandalimin e përshkallëzimit mes fuqive të mesme në këto rajone. Nuk po mbajnë anë se cili aleat është më i mirë apo më i domosdoshëm, por vlerësojnë se stabiliteti ka rëndësi parësore. Zhvendosja e dy aleatëve të mëdhenj amerikanë, siç është Saudia dhe Turqia, me Kinën është lëvizje tektonike për Amerikën. Jo se shohim veprime drejt kësaj linje, por megalomania izraelite për të anashkaluar gjithë Fuqitë e Mesme të rajonit ka vënë në mendime shumë analistë në Uashington se si duhet të sillen me këtë aleat të çmuar, i cili nuk përtoi të tallej edhe me Britaninë e madhe përpara pak ditësh. Pekini, një aktor kryesor nëpër këto projekte masive dhe shekullore, po hesht.
Përgatiti: Sebastian Zonja



