Qeveria Rama miraton 118 projekte strategjike me vlerë 14.8 mld €

spot_img
Advertisements

Qeveria ka miratuar listën e re të 118 projekteve strategjike për periudhën 2027–2029, me një vlerë totale prej 14.8 miliardë euro, të publikuar në Fletoren Zyrtare.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre, 56 projekte me vlerë 5.64 miliardë euro, janë në fazë të maturuar, çka do të thotë se janë në zbatim ose në proces realizimi.

Ndërkohë, 5.97 miliardë euro të tjera i përkasin projekteve “pjesërisht të maturuara”, të cilat janë ende në fazë ideje dhe nuk kanë nisur zbatimin, ndërsa 31 projekte me vlerë rreth 3.27 miliardë euro mbeten “të pamaturuara”, pa zhvillim konkret.

Për herë të parë në listë përfshihet projekti “EXPO Albania”, i klasifikuar si i maturuar, me një kosto prej 50.3 milionë euro. Ky investim parashikon ndërtimin e një qendre për panaire, ekspozita dhe evente të ndryshme në zonën e Farkës në Tiranë, në një sipërfaqe prej 6 hektarësh, ku do të përfshihen edhe struktura hotelerie.

Lista përfshin gjithashtu investime të reja në menaxhimin e mbetjeve, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës në zonën Vlorë–Gjirokastër me vlerë rreth 25 milionë euro dhe në Kukës me rreth 18 milionë euro, të financuara nga buxheti i shtetit.

Në projektet e avancuara përfshihet edhe zgjerimi i internetit broadband në zonat e bardha në 8 qarqe, me një investim prej 109.2 milionë euro, që synon përmirësimin e aksesit në zonat rurale dhe të thella.

Megjithatë, disa projekte të rëndësishme infrastrukturore vijojnë të mbeten pa financim, mes tyre linja hekurudhore Durrës–Prishtinë me vlerë 750 milionë euro, ndërtimi i Skavicës dhe Aeroporti i Jugut, të cilat mbeten ende në fazë planifikimi

spot_img

Latest articles

Related articles