Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e saj për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të ri katërvjeçar në krye të FIFA-s.
Përmes një letre zyrtare drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, FSHF ka njoftuar revokimin e mbështetjes së dhënë më parë për kandidaturën e presidentit aktual të organizatës botërore të futbollit.
Vendimi është marrë pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të situatës, siç theksohet në letrën e firmosur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e z. Infantino”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Federata shqiptare e lidh këtë vendim me zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar dhe me qëndrimet e shprehura nga federata europiane lidhur me proceset e qeverisjes së FIFA-s.
Në deklaratën e saj, FSHF thekson gjithashtu se mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, me synimin për të mbështetur një qeverisje të futbollit të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të lojës.
Tërheqja e mbështetjes nga Shqipëria vjen në një moment kur drejtimi i Gianni Infantinos po përballet me kritika dhe qëndrime të forta nga brenda futbollit europian, duke e bërë garën për presidencën e FIFA-s gjithnjë e më të debatueshme.
Kjo, pas planeve të tij për shitjen e të drejtave të Botërorit, që do t’i sillte Infantinos 30 mln dollarë në vit.
Interesant mbetet ndërkohë, fakti që Armando Duka është një ndër presidentët e parë, që ka dalë kundër Infantinos, pas Uellsit dhe Britanisë.
Kjo vjen, për arsye të tjera në fakt, jo për çështje parimesh e integriteti, siç shprehet FSHF.
Por për arsyen e thjeshtë se Duka ka lidhje të forta me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin.
Ky i fundit ka dalë hapur kundër Infantinos, duke i shpallur luftë kreut të FIFA-s.
Kujtojmë që Duka është zgjedhur zv.president i UEFA-s dhe ka marrë mbështetjen e fortë të Ceferin, në momentet e tij më të vështira, kur pati një betejë të egër më mazhorancën dhe Erion Veliajn, për t’u rizgjedhur në krye të FSHF-së.
Dhe më sa duket, tani po ia kthen favorin Ceferin, duke u vetëofruar në betejën e këtij të fundit me kreun e FIFA-s.



