Qeveria ka shpallur ndërtimin e një zone të lirë të zhvillimit ekonomik në Vlorë. Zona ekonomike do nërtohet nga RAMS Albania, kompani me kapital turk, e lidhur me RAMS Global, grup turk RAMS Global, i cili operon në fusha si ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe zhvillimi i projekteve të mëdha.
Zona përfshin një sipërfaqe rreth 885 mijë metra katrorë ndërsa është emërtuar me ermin “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”. Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.
Kompania investuese është RAMS Albania sh.p.k., një shoqëri me kapital të huaj me origjinë turke, e regjistruar në Shqipëri. Ajo është subjekti që ka aplikuar dhe do të zhvillojë projektin TEDA në Vlorë. RAMS Albania është themeluar më 26 dhjetor 2024 nga shtetasi turk Vahit Emir Seydaoglu ndërsa selia e kompanisë është në Tiranë, në kullat Sky Tower, kati 11, Hyrja 111.
Administratorët e RAMS Albania aktualisht janë katër shtetas, Ahmet Metin Tasdemir, Artyom Sidelkovskiy, Mehmet Faruk Bülbül, Rufat Mammadov.
Emri më i njohur ndër katër administratorët është ai i Mehmet Faruk Bülbül. Ai është një biznesmen turk dhe një nga drejtuesit e grupit RAMS Global, grupi që lidhet me projektin TEDA/RAMS Free Zone në Vlorë. Ai figuron si CEO i RAMS Global dhe si person i lidhur me pronësinë e RAMS Albania sh.p.k. në regjistrat e pronarëve përfitues në Shqipëri.

Mehmet Faruk Bülbül
Vendimi
VENDIM PËR SHPALLJEN “ZONË E TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të nenit 14/2, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” të territorit, me sipërfaqe 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m2, pjesë e zonave kadastrale 8604 dhe 2765, në Bashkinë Vlorë, të përbërë nga pasuritë me sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe hartës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
- Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” përcaktohen në hartën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE””, janë të llojit:
a) ekosistem industrial logjistik dhe inovativ;
b) teknologji industriale;
c) automatizim dhe inteligjencë artificiale;
ç) përpunim mekanik i lehtë i metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jondotëse dhe energjinë e rinovueshme.
- Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
- Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m², pjesë e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), në funksion të zhvillimit të projektit, me tarifë 1 (një) euro/kontrata.
- Shoqëria “RAMS ALBANIA”, sh.p.k., shpallet zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me procedurë jokonkurruese si subjekt përfitues, me status “Investim/investitor, procedurë e veçantë”, në bazë të vendimit nr.1, datë 11.2.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar.
- Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.774, datë 4.6.2008, “Për shpalljen e “Zonë ekonomike” në Vlorë”, nr.818, datë 11.6.2008, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, në Vlorë, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, dhe nr.1547, datë 26.11.2008, “Për miratimin e kontratës të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe “Idea Vlora”, sh.a., për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë”, shfuqizohen.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”



