Mbrëmjen e djeshme, Andrea Pirlo publikoi në Instagram një postim të gjatë, të mbushur me zhgënjim. Në të ai shpjegon natyrën e marrëdhënies së tij me kompaninë ruse Fonbet dhe rithekson dashurinë e tij për Italinë dhe fanellën “azzurre”. Sot ai konfirmoi se kishte mësuar se nuk është më në listën e kandidatëve për postin e trajnerit, kjo pasi ishte i përzgjedhuri kryesor i Maldinit.Ish-mesfushori, i cili ishte shumë pranë emërimit si trajner i ri i kombëtares italiane të futbollit, e nis mesazhin me këto fjalë:”Mbrëmë mësova se nuk jam më kandidat për stolin e kombëtares italiane. Ditët e fundit kam ndjekur me shumë zhgënjim debatin që është zhvilluar rreth emrit tim dhe mundësisë për të marrë rolin e trajnerit të kombëtares italiane.”Fjala kyçe e mesazhit është pikërisht “zhgënjimi”, që pasqyron qartë gjendjen e tij shpirtërore.”Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, deri tani kam zgjedhur të ruaj heshtjen. Megjithatë, e konsideroj të domosdoshme të sqaroj disa aspekte. Gjatë gjithë karrierës sime, fillimisht si futbollist dhe sot si trajner, kam ushtruar gjithmonë profesionin tim duke respektuar plotësisht ligjet e vendeve ku kam punuar dhe kontratat që kam nënshkruar.Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt i polemikave të fundit ka lindur në kuadër të aktivitetit tim profesional në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive. T’i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin.”Më pas Pirlo falenderon Paolo Maldinin dhe Leonardon.”Dëshiroj të falenderoj Maldinin dhe Leonardon për vlerësimin dhe besimin që kanë treguar ndaj meje. E njoh profesionalizmin, seriozitetin dhe dashurinë që ata i kanë kushtuar gjithmonë futbollit italian.Më vjen keq që një zgjedhje me karakter sportiv u shndërrua kaq shpejt në një debat publik, duke i atribuar personit tim domethënie dhe qëllime që nuk më përkasin. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një detyrë apo post. Ajo është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë”, shkruan Pirlo.



