Një konflikt çasti është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në zonën e pedonales, pranë plazhit në Durrës, ku tre të rinj mbetën të plagosur me thikë.
“Pse më pe shtrembër”, ishte fjala që nisi gjithçka, duke përfunduar me sherr masiv dhe përdorimin e thikës.
Sipas policisë, gjatë një konflikti të çastit janë dëmtuar shtetasit F.B., 19 vjeç, L.C., 20 vjeç dhe U.C., 18 vjeç.
Dy prej tyre kanë marrë plagë të shumta dhe janë transportuar në Spitalin e Durrësit, ndërsa i treti ka pësuar lëndime të lehta dhe nuk ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake rezulton se në konflikt janë përfshirë shtetasit L.Ç., 19 vjeç dhe një 15-vjeçar, të dyshuar si autorë të plagosjes.



