Një artikull i medias britanike “The Guardian” më tërhoqi vëmendjen për të lexuar gjëra të reja prej një autori të ri belg në lëminë e filozofisë politike. 32-vjeçari Anton Jager ka sjellë një koncept interesant për të shpjeguar shumë ngjarje politike aktuale – hiperpolitika.
Jageri argumenton se aktualisht infrastruktura demokratike është shembur. Sipas tij, qytetarët nëpër shumë vende janë thellësisht të politizuar përmes luftërave kulturore, identitare, trendeve virale nëpër mediet sociale, zemërimit që merr flakë përmes komunikimit të shpejtë por kjo nuk përkthehet në fitore politike. Sot, në Shqipëri, për shembull, ka zemërim, ka protestë, ka angazhim ideologjik në kuadër të “Revolucionit Flamingo”, por ndryshimet e qëndrueshme institucionale duken pak larg.
Në librin e tij “Hiperpolitika: Politizimi ekstrem pa pasoja politike” Jageri sjell një ndarje interesante për të analizuar dekadat e fundit.
Sipas tij, pasi ra Bashkimi Sovjetik, tendenca shkoi drejt një ideje absurde siç ishte “fundi i historisë”. Politika iu la në dorë teknokratëve. Vendimet e mëdha iu lanë në dorë ekspertëve të pazgjedhur me votë, bankave qendrore dhe tregjeve globale. Koncepti i spektaklit i Deborit këtu bëhet realitet, pasi qytetarët u kthyen në spektatorë pasivë të ngjarjeve në vendin e tyre, ndërsa partitë politike ndërtuan gjithë kuadrin drejt një konsensusi centrist.
Por me krizën masive ekonomike të vitit 2008, ky konsensus u prish. Palët filluan ta shohin njëra-tjetrën si armiq, nga kundërshtarë që e shihnin më herët. Konflikti politik mori nuancat e hakmarrjes politike. Çdo temë u ngarkua aq shumë politikisht, sa palët kapen për flokësh për çdo temë, nga banjot publike tek ngrohja globale.
Pavarësisht kësaj atmosfere kaq të nxehtë, sipas Jagerit, mediet sociale kanë sjellë dinamikë të re në komunikimin politik. Ato qindra peticione online kanë sjellë imazhin e lëvizjeve shoqërore të gjalla dhe plot nerv, por që zhduken si xixëllonjat në një natë vere. Dekada më parë, sindikatat, kishat dhe partitë politike vepronin si infrastrukturë jetësore, duke e përkthyer zemërimin qytetar të papërpunuar në kërkesa të strukturuara politike. Sot, këto institucione janë atrofizuar. Pasoja është një publik i paorganizuar.
Protestat masive sot nëpër shumë vende të botës dominojnë titujt kryesorë të medieve përkohësisht, por kanë vështirësi të ndikojnë tek vendimmarrja shtetërore. Arsyet janë të ndryshme, por një ndër më interesantet që identifikon Jageri është se figurat politike moderne po sillen gjithnjë e më pak si burokratë tradicionalë partiakë, por si influencera “Instagram”-i.
Hiperpolitika s’ka strukturë. Struktura sjellë mungesë disipline. Ndaj, aktivizmi modern ngjan më shumë si moralizim nëpër “Facebook”, duke sjellë që qendrat e pushtetit ekonomik dhe shtetëror të mbeten të izoluara nga presioni publik. Qeveritë dhe korporatat i përballojnë lehtësisht stuhitë e kritikave online.
Përgatiti; Sebastian Zonja



