Protesta përfaqëson pakënaqësi serioze | ANALIZA

spot_img
Advertisements

Fitim ZEKTHI

Është e qartë se protesta që ka nisur në Tiranë prej 40 ditësh e ka ndryshuar plotësisht politikën shqiptare. Kjo do të vihet re gradualisht. Duke qenë protesta e vetme e madhe, qytetare, jo partiake, që përfaqësonte me të vërtetë pakënaqësinë e njerëzve ndaj mënyrës se si qeveriset dhe është qeverisur vendi, ajo e ka tronditur plotësisht klasën politike shqiptare. Klasa politike ka dalë zbuluar. Ajo e di që populli është masivisht kundër saj dhe e fajëson atë për korrupsionin e thellë që e ka përfshirë dhe për gjithë gjendjen e rëndë të vendit.

Pavarësisht kësaj, protesta nuk ka arritur të rrëzojë qeverinë, të prodhojë ndryshime të shpejta, të prekshme, konkrete. Kjo ka prodhuar një lloj mërzitjeje apo frustrimi tek protestuesit apo tek shoqëria në tërësi dhe një gëzim tek përkrahësit e qeverisë dhe të klasës së vjetër politike.

Që një protestë të rrëzojë qeverinë apo, më shumë se kaq, të përmbysë klasën politike, ajo duhet të plotësojë tre kushte bazë. Giulia Pastorello e London School of Economics, që ka studiuar dhjetëra protesta dhe lëvizje në gjithë botën, thotë se këto kushte janë vijimi pa ndërprerje i protestës, rritja e saj me kalimin e ditëve dhe pamundësimi i qeverisjes ose bërja e pamundur e qeverisjes së vendit.

Protesta 40-ditëshe ka vijuar dhe kjo është një gjë e rrallë. Partitë në Shqipëri mezi i mblidhnin njerëzit për një fundjavë, njerëz që ishin vetëm anëtarë partie dhe kaq. Së dyti, protesta ka vijuar, por rritja e saj ka qenë diçka e diskutueshme.

Në dy ose tre raste ajo ka qenë shumë e madhe dhe më pas është zvogëluar, është zbehur për shkak të verës, pamundësisë së njerëzve për të qenë çdo ditë dhe sidomos debateve apo diskutimeve brenda atij që është grupi drejtues, apo mospëlqimeve të ndryshme të njerëzve mbi rrymat e ndryshme të protestës. Dhe e treta, protesta nuk ka mundur ta bllokojë qeverisjen, ta pamundësojë qeverisjen e vendit.

Qeverisja pamundësohet siç ka ndodhur në vitin 1990 apo 1991 në Shqipëri, siç ka ndodhur në vitin 1986 në Filipine, siç ka ndodhur me Revolucionin e Kadifenjtë apo atë Portokalli etj.

Këtu duhen thënë disa gjëra. Nuk duhet pritur dhe është e gabuar të pritet që protesta të rritet përditë dhe të bëjë të pamundur qeverisjen. Sistemi politik shqiptar, qeveria, segmente të ndryshme të biznesit, medias dhe shumë segmente të tjera që kanë pushtet do të përpiqen dhe po përpiqen që ta dobësojnë protestën. Vetë protesta është e përbërë nga grupe njerëzish që përfaqësojnë pikëpamje dhe rryma shumë të ndryshme, që nga socialdemokratë apo komunistë deri tek konservatorë apo liberalë të djathtë, që nga ateistë e deri tek besimtarë, që nga përkrahës të axhendave LGBT e deri tek kundërshtarë të ashpër të tyre, që nga socialistë të thekur deri tek demokratë po të thekur. Shkurt, protesta përfaqëson popullin dhe, kësisoj, debatet dhe madje edhe sherret brenda saj janë të natyrshme. Kjo lloj larmie, këto lloj identitetesh kanë potencialin të balancojnë, por edhe ta lodhin apo dobësojnë njëri-tjetrin. Që ajo të rritet përditë dhe të bllokojë qeverisjen duhet që të gjitha këto të tejkalohen. Kjo është e pamundur, sidomos në kushtet e një lufte totalisht të poshtër që bën qeveria dhe e tërë klasa politike që rrezikohet, duke thënë se protesta bëhet nga agjentë të Iranit apo Greqisë, duke thënë se protesta bëhet nga Islami politik, duke dashur të thonë se po na “pushtojnë myslimanët” (një shpikje e ulët që i ka rrënjët tek tezat kolonialiste evropiane kundër myslimanëve), duke thënë se protesta bëhet nga Xhorxh Soros, duke thënë se protesta bëhet nga armiqtë e SHBA-së, duke thënë se protesta bëhet nga Berisha, duke thënë se protesta bëhet nga Rama etj. Nxitja e veprimeve të dhunshme, nxitja e sharjeve dhe e fjalorit të ulët është gjithashtu pjesë e luftës. Gjithë kjo luftë totale për kontroll të narrativës (së humbur) nga Rama dhe klasa e vjetër politike bën efektin e vet, ka peshën e vet dhe nuk e lejon protestën të bëhet aq e madhe sa të bllokojë qeverisjen.

Gjithsesi, protesta vazhdon dhe kjo është diçka e rrallë, diçka e pamendueshme, diçka që nuk ka ndodhur prej 35 vitesh. Protesta është e pambyllshme, është e pashueshme, është e pakontrollueshme nga qeveria dhe klasa politike 35-vjeçare. Bërthama e saj, fara e saj është aty dhe në vjeshtë ajo do të bëhet më e fuqishme. Vetëm një qasje tjetër e Ramës dhe e klasës politike mund ta përmbajë, mund ta zbusë ose edhe ta ndalë protestën. Liberalizimi i sistemit politik, heqja dorë nga kontrolli i çdo pushteti prej qeverisë, prej kryetarit të PS-së, prej drejtuesve të politikës shqiptare. Do të ishte shumë më e zgjuar nga ana e tyre që ta trajtonin protestën si diçka autentike, si diçka që përfaqëson pakënaqësi serioze për gjendjen e rëndë dhe të gjenin mënyra ta hapnin sistemin, të lëshonin pushtet, të përfaqësonin shoqërinë.

Po nuk e bënë, protesta do të jetë shumë më e madhe dhe do të jetë më e rëndë politikisht për ta

spot_img

Latest articles

Related articles