Shtetet e Bashkuara shënojnë 250-vjetorin e tyre. Ata janë vend relativisht i ri në familjen e kombeve që kanë bërë historinë e botës. Ja që lashtësia nuk qënkesh argument për ta sjellë në tavolinë kur flet për zhvillimin e qëndrueshëm. Ne si ilire, helenët ngjitur me ne dhe romakët tej detit kanë bërë histori këtyre anëve. Mburremi me të shkuarën, por sot s’na pyet kush sot. Zhvillimi nuk vjen prej gjeografisë apo debateve historike dhe kulturore, por nga kultura institucionale. Prej atyre institucioneve që i përfshijnë qytetarët në vendimmarrje, që zbatojnë të drejtat e pronësisë dhe krijojnë një lojë me shanse të barabarta për gjithë qytetarët. Amerika ka inkurajuar inovacionin dhe investimet në dije prej dekadash. Ka mbledhur mendjet më të ndritura të botës dhe ka ditur që ta shpërndajë pushtetin mes Presidentit, Gjykatës së Lartë dhe Kongresit. Sot nuk i dëgjon amerikanët të flasin për kolonitë, siç flasim në Ballkan gjithë ditën për pushtime romake, bizantine dhe osmane. Kur republika ruan balancat, ndarjen e pushteteve dhe pjesëmarrjen e gjerë politike, rritja ekonomike, statusi dhe mirëqenia e qytetarëve zgjerohet. SHBA-të janë lider teknologjik dhe ekonomik. Këto arritje erdhën përmes valëve të investimit në inovacion, industrializimit, emigracionit drejt ShBA-së dhe lidershipit global pas Luftës së Dytë Botërore. Amerika është aleati ynë. Sa e sa shqiptarë jetojnë sot atje. Na ka ndihmuar të krijojmë këtë mirëqenie dhe shtet të së drejtës që kemi. Na ndihmoi të pavarësohet Kosova. Na ndihmon të shkojmë drejt Bashkimit Europian dhe bashkë me të jemi aleatë në NATO. Amerika është vendi që udhëhoqi shekullin e shkuar dhe udhëheq këtë shekull. Shqiptarët janë miq të shtrenjtë të popullit amerikan. Qeveritë ikin, presidentët zëvendësojnë njëri-tjetrin, miqësia mbetet.



