BE dhe Kina kanë rënë dakord të hapin një proces bisedimesh tre-mujore për të shmangur përshkallëzimin e një lufte tregtare, në kushtet e një çekuilibri të madh në shkëmbimet tregtare mes dy palëve.
Marrëveshja u arrit në Bruksel gjatë një deklarate të përbashkët, e para në shtatë vjet, pas javësh tensionesh dhe paralajmërimesh të ndërsjella lidhur me masat tregtare dhe fluksin e importeve kineze drejt tregut europian.
Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, u shpreh se dialogu synon të sjellë rezultate konkrete përpara takimit të radhës mes palëve në Pekin, të planifikuar për në muajin tetor. Ai zhvilloi bisedime me ministrin kinez të tregtisë, Wang Wentao, si pjesë e përpjekjeve diplomatike për të stabilizuar marrëdhëniet ekonomike.
Në deklaratën e përbashkët, të dyja palët theksuan se synimi i konsultimeve është forcimi i dialogut mbi politikat tregtare dhe investimet, me qëllim balancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shmangien e masave kufizuese të njëanshme.
Bisedimet do të përqendrohen në disa fusha kryesore, përfshirë ribalancimin e tregtisë, kontrollet e eksporteve, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe reformat në Organizatën Botërore të Tregtisë



