PLL riorganizim në degën e SHBA, Axhami: Diaspora do bëjë ndryshimin

spot_img
Advertisements

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Shpëtim Axhami, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PLL, z. Lurian Mena, zhvilluan një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të gjitha takimet e zhvilluara gjatë kësaj vizite morën pjesë edhe Kryetari i PLL për SHBA, z. Hakik Mena, Zëvendëskryetari i PLL për SHBA, z. Ahmet Hoti, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, z. Adnan Ramadani, Sekretari i PLL, z. Tomorr Selmani, si dhe drejtues e veprimtarë të tjerë të partisë.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte zhvillimi i takimeve me strukturat drejtuese të PLL në SHBA, si dhe puna për forcimin dhe zgjerimin e organizimit të partisë përmes ngritjes së degëve të reja në shtete të ndryshme amerikane.

Vizita nisi me një takim të Kryesisë së PLL për SHBA në New York, ku u nderua me dekoratë mirënjohjeje familja Mulosmani për kontributin e saj të çmuar në mbështetje të Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe të Familjes Mbretërore Shqiptare. Dekorata iu dorëzua z. Sami Mulosmani, përfaqësues i kësaj familjeje.

Gjatë vizitës, drejtuesit e PLL zhvilluan gjithashtu një takim në familjen Mena, ku u nderua me dekoratë mirënjohjeje z. Men Hakik Mena për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të programit PLL. Një tjetër ndalesë ishte familja e z. Muharrem Xhydollari, ku drejtuesit u njohën me një arkivë të pasur historike që dokumenton veprimtarinë shumëvjeçare të PLL.

Një rëndësi të veçantë patën edhe takimet me bashkatdhetarët në Waterbury (Connecticut) dhe Detroit (Michigan), dy qytete që historikisht kanë qenë qendra të rëndësishme të veprimtarisë legaliste dhe që kanë ruajtur me përkushtim idealet mbretërore nga periudha e regjimit komunist e deri në ditët e sotme.

Në këto takime, Kryetari i PLL, z. Shpëtim Axhami, përcolli përshëndetjet e përzemërta të Lartësisë së Tij, Princit Leka II, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të legalistëve shqiptarë në SHBA dhe besnikërinë e tyre ndaj kauzës kombëtare dhe institucionit të Monarkisë.

Me këtë rast u nderuan gjithashtu familjet Kulla, Bushka, Barolli dhe Topulli për mbështetjen e tyre të palëkundur ndaj kauzës legaliste dhe Familjes Mbretërore Shqiptare.

Pas takimeve në Waterbury, u zhvilluan homazhe pranë varreve të veprimtarëve legalistë, mes tyre Idajet Bushka, Nazmi Kulla dhe shumë të tjerë, duke nderuar kujtimin, sakrificën dhe kontributin e tyre ndër vite.

Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë legalistët dhe bashkatdhetarët shqiptarë në SHBA për mikpritjen, respektin dhe përkushtimin e treguar ndaj kauzës mbretërore. Një falënderim i veçantë shkon për organizatorët e këtyre takimeve, veçanërisht Kryesisë së PLL për SHBA, si dhe z. Hodo Kulla, z. Lekë Bushka, z. Xhani Kulla, z. Muharrem Xhydollari (Hudonishti), z. Gjyzel Topulli dhe z. Shpëtim Kulla.

Në përfundim të kësaj vizite, u zgjodh Kryetar i Degës së PLL për Connecticut z. Shpëtim Kulla, ndërsa u përcaktuan edhe datat për zhvillimin e zgjedhjeve në degët e Kalifornisë, Michiganit dhe Kanadasë, në funksion të forcimit të mëtejshëm të organizimit të Partisë Lëvizja e Legalitetit në diasporë.

spot_img

Latest articles

Related articles