Gazetari Lavdrim Lita teksa komentoi protestat masive në të cilat prej 20 ditësh është përfshirë vendi, deklaroi se PS-ja duhet t’i japë edhe ‘çelësat’ popullit, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
I ftuar në emisionin ‘News24 Fundjavë’, Lita theksoi se i takon popullit më pas që të vendosë.
“Është protesta më e bukur, e përbërë nga rinia, një pjesë që ka dalë jashtë sistemi. Qeveria e ka shkatërruar këtë vend për shkak të keqqeverisjes. E ka trajtuar vendin si mall shkëmbimi me oligarkët. Rama si kryeministër, është i vetmi përgjegjës për rishpërndarjen e pasurisë publike në duart e disa njerëzve të afërm të tij, duke përjashtuar qytetarët. PS duhet t’i japë edhe një herë çelësat popullit, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të vendosë ai. Qeveria nuk duhet të bëjë si struci që ka futur kokën në rërë. Nga protesta, u tregua se sa urrejtje kanë akumuluar njerëzit ndaj kësaj kaste politike. Korrupsioni është bërë me ligje të Kuvendit, me VKM.”, tha ai.



