Koha e elitës së re, Shqipëria në pragun e një përmbysjeje politike

spot_img
Advertisements

nga Gjergji Nika

Shqipëria ndodhet sot në një nga momentet më të errëta të historisë së saj demokratike. Një vend i rraskapitur nga tranzicioni i pafund, i kapur nga një klasë politike që për më shumë se tre dekada ka ricikluar të njëjtët emra, të njëjtat skema dhe të njëjtën kulturë pandëshkueshmërie.

“Shqipëria reale nuk ka asgjë të përbashkët me Shqipërinë e pushtetit.” Sepse shqipëria reale është vendi ku varfëria rritet, rinia largohet, biznesi mbytet dhe drejtësia mbetet peng i interesave politike.

Shqiptarët përballen me një pushtet arrogant që sillet si pronar i vendit dhe me një opozitë që ka dështuar të ndërtojë besimin e humbur. Në këtë vakum politik, vendi është lënë pa alternativë reale, ndërsa korrupsioni, klientelizmi dhe kapja e shtetit janë kthyer në normë.

Për 35 vite, Shqipëria është mbajtur peng nga një elitë e konsumuar që ka ndërtuar karrierat mbi frikën, përçarjen, kontrollin ekonomik të qytetarëve dhe që nuk prodhon më shpresë.

Por përvoja ka treguar se asnjë sistem i kalbur nuk është i përjetshëm.

Ndryshimi nuk do të vijë nga pazaret e vjetra politike, as nga riciklimi i figurave që kanë qenë pjesë e problemit. Ndryshimi do të vijë vetëm nga një elitë e re politike: e pakorruptuar, e pakapur, me vizion europian dhe me besim të palëkundur te shteti i së drejtës.

Shqiptarët sot janë më të vetëdijshëm se kurrë. Ata e dinë se demokracia nuk është pronë e partive, por e qytetarëve. Ata e dinë se pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi.

Koha e heshtjes ka mbaruar.

Sot Shqipëria ka nevojë për një revoltë qytetare, intelektuale dhe politike, jo për të shkatërruar, por për të rindërtuar.
Për të ngritur një republikë të re, të meritës, të drejtësisë dhe të barazisë para ligjit.

Shqipëria mund të shpëtojë. Por vetëm nëse vendosim të mos jemi më spektatorë të fatit të tonë, por autorë të ndryshimit që historia kërkon.

spot_img

Latest articles

Related articles