SPAK i ka dorëzuar sot Policisë së Shtetit dhe Interpol-it 24 urdhër-arreste të paekzekutuara që lidhen me dy dosje të rëndësishme të grupeve kriminale, mes tyre edhe dosjen e grupit të njohur si “Aruba”, raporton gazetari i MCN Live, Arsen Rusta.
Sipas tij, për afro 500 asete të bllokuara, mes tyre biznese, prona dhe pasuri të tjera, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nisur procedurat për caktimin e administratorëve shtetërorë.
Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për aktivitetet e grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe investimin e kapitaleve të dyshuara me origjinë kriminale. Sipas hetimeve, organizatat kriminale kanë operuar në një rrjet të mirëorganizuar që shtrihet nga Amerika Latine dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Evropë, Ballkan dhe Shqipëri.
Hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime se përmes fitimeve të siguruara nga trafiku i drogës janë realizuar investime në sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin, ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme në zona të ndryshme të vendit.
Në fokus të verifikimeve janë investime në zona si Palasa, Dhërmiu, Tirana, Vlora, Gjiri i Lalzit, Durrësi, Qerreti dhe destinacione të tjera turistike.
Ndërsa hetimet vijojnë, SPAK ka kërkuar ekzekutimin e 24 masave të sigurisë të mbetura ende të pazbatuara. Mes personave të shpallur në kërkim apo të përfshirë në këto procedime përmenden Salvador Aliu, Dritan Gjika, Armando Pacani, Isa Aliu, Nikoll Bibaj, Florjan Musai, Sokol Bibaj, Eldi Dizdari dhe Olkid Aliu. Disa prej tyre rezultojnë jashtë territorit shqiptar, ndërsa Eldi Dizdari është arrestuar më herët në Dubai.
Në kuadër të këtyre procedimeve, SPAK ka publikuar gjithashtu listën e pasurive të sekuestruara dhe të vendosura nën administrim shtetëror.
Për dhjetëra prona, biznese dhe asete të tjera janë caktuar administratorë shtetërorë, të cilët do të kujdesen për menaxhimin dhe ruajtjen e tyre gjatë kohës që vijojnë hetimet dhe procedurat gjyqësore.



