Në një kohë kur projekti i Zvërnecit ka marrë mbështetjen e shteteve të bashkuara të amerikës, por edhe nga bashkimi europian i cili deklaroi se ka marrë garancinë nga qeveria shqiptare për respektimin e të gjitha standardeve, vëmendja ndërkombëtare vijon të rritet.
Në Vlorë, ndodhet edhe gazetari i medias prestigjioze New York Times, Andrew Higgins, shef i zyrës për Europën Lindore e Qëndrore, I cili vlerësoi edhe zhvillimin e projektit turistik. Sipas tij, investimet duhen parë në funksion të natyrës së menaxhimit dhe jot ë kundërshtohen në parim.
“Isha në Zvërnec, e vizitova, më pëlqeu. Por varet çfarë do të bëjnë me të. Është shumë i bukur. Varet se si do të menaxhohet investimi. Nuk jam kundër tij në parim, por nuk është puna ime të kundërshtoj investimet. Dua të them, ka shumë shumë akuza të rënda në internet. Kështu që njerëzit i shohin ato dhe mendojnë… e dini, disa njerëz mendojnë se Zvërneci dhe Shqipëria janë në luftë civile, gjë që padyshim nuk është e vërtetë. Mendoj se qytetarë amerikanë, që kanë interesa politike, po e shohin Shqipërinë si vend ku mund t’i shprehin ato interesa.”
Higgins u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke u kthyer në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turizmin ndërkombëtar.
“Unë kam qenë këtu 30 vite më parë dhe ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që atëherë. Kryesisht për mirë. Kur kam qenë këtu për herë të parë, rrugët ishin të tmerrshme. Kam qenë në Veri, në Kukës atëherë, dhe rrugët ishin plot me banditë. Ndërsa tani rrugët janë shumë të mira. Pra po, gjërat janë përmirësuar shumë.”
Sipas tij, vendi ofron një alternativë konkurruese në rajon, për shkak të kostove më të ulëta dhe potencialit të madh natyror.
“Është fantastike. Ka plazhe të shkëlqyera. Gjëja e mirë është se plazhet janë me rërë, jo me gurë, gjë që është gjithmonë më mirë, sipas mendimit tim. Për turizmin, do ta rekomandoja Shqipërinë. Nuk është i vetmi vend i bukur në këtë rajon, por është shumë më i lirë se, për shembull, Kroacia apo Greqia.”
Ndërsa debati për projektin e Zvërnecit vijon, prania e përfaqësuesve të mediave ndërkombëtare dhe qëndrimet mbështetëse nga partnerët euro-amerikanë po e vendosin gjithnjë e më shumë në fokusin e zhvillimeve rajonale.



