Av. Shkëlqim Laboti, Ekspert i se drejtës ndërkombëtare
Siguria juridike është një nga elementët thelbësorë të shtetit të së drejtës dhe një garanci themelore për funksionimin normal të marrëdhënieve juridike në shoqëri. Ajo nënkupton parashikueshmërinë e normave ligjore, zbatimin e tyre të njëtrajtshëm dhe mundësinë që qytetari të orientohet qartë mbi pasojat juridike të veprimeve të tij. Në mungesë të sigurisë juridike, ligji humbet funksionin e tij rregullues dhe shndërrohet në një instrument të paparashikueshëm, duke cenuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Në shoqëritë ku zbatueshmëria e ligjit është jo uniforme ose ku ekzistojnë mangësi në interpretim, siguria juridike vihet seriozisht në pikëpyetje. Kjo lidhet jo vetëm me cilësinë e normave ligjore, por edhe me mënyrën e zbatimit të tyre nga institucionet kompetente. Një ligj që nuk zbatohet në mënyrë të njëjtë krijon pasiguri dhe pabarazi, duke bërë që individët të mos kenë besim në drejtësinë e vendimeve që merren ndaj tyre, rrit përceptimin e padrestësisë, nxit konflikte shoqërore etj..
Në këtë kontekst, një problem i rëndësishëm që shfaqet në praktikën juridike, në zbatimin e normavae me karakter penalizues, sic është tendenca për një interpretim të njëanshëm të normës, sidomos në procedurën penale.
Parimi themelor i procesit të rregullt ligjor, kërkon që organet proceduese të jenë objektive dhe të paanshme, duke mbledhur prova si në favor ashtu edhe kundër të pandehurit.
Megjithatë, në praktikë shpesh vërehet një orientim drejt gjetjes së fajit, duke e zhvendosur fokusin nga kërkimi i së vërtetës objektive në ndërtimin e një versioni të paracaktuar të saj, gjetja me padurim e një fajtori. Nëse analizohet vendimet dhe rezultati mbi 95% e procedimeve përfundojmë më gjetjen e fajtorëve, atëherë problemi nuk është thejsht statistikor, është më thellë në gjenezën e shoqërisë tonë. Edhe në kohën kur nuk kishte fajtor, sistemi e shpikte një të tillë dhe mbi këto statistika ngriheshin në piedestal vendimet e dënimeve.
Ky fenomen duket sikur I ka rezistuar kohës, ndryshimeve dhe reformave dhe vazhdon të deformojë thelbin e drejtësisë penale dhe të cenojë prezumimin e pafajësisë.
Një tjetër aspekt thelbësor lidhet me natyrën e së vërtetës në procesin gjyqësor. E vërteta juridike nuk duhet të jetë produkt i perceptimeve subjektive, por rezultat i provave të ligjshme dhe i analizës së paanshme të tyre. Megjithatë, ndikimi i subjektivizmit në interpretimin e provave dhe të ligjit mbetet një realitet i pakontestueshëm. Ky subjektivizëm, kur tejkalon kufijtë e arsyeshëm, kthehet në një faktor që rrit pasigurinë juridike dhe e bën vendimmarrjen gjyqësore më pak të parashikueshme.
Në këtë kuadër, një rol thelbësor luan edhe cilësia e vetë ligjit dhe profesionalizmi I atyre që propozojnë, miratojnë dhe ndryshojnë ligjet.
Ligjet duhet të jenë të qarta mbi modus operandi, koncize dhe të kuptueshme, çfarë përben veprime antiligjore, cilat jane pasojat, jo vetëm për profesionistët e së drejtës, por edhe për qytetarin e zakonshëm. Një normë juridike e ndërlikuar ose e paqartë krijon hapësira të gjera interpretimi, të cilat shpesh çojnë në zbatim jo të njëtrajtshëm. Parimi i thjeshtësisë në hartimin e ligjit, i njohur në literaturën juridike si nevoja për “ligje të kuptueshme nga të gjithë”, është thelbësor për garantimin e sigurisë juridike dhe për forcimin e shtetit të së drejtës.
Në realitetin shqiptar, procesi i reformimit të sistemit juridik është në zhvillim, por ende vërehen probleme të lidhura me paqëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe me interpretimin e ndryshëm të normave ligjore. Këto elemente krijojnë një ndjenjë pasigurie tek qytetarët dhe profesionistët e së drejtës, duke e bërë shpesh të paparashikueshme rezultatin e një procesi gjyqësor. Në këtë mënyrë, besimi në sistemin e drejtësisë vihet në prove dhe minohet besimi tek aktorët e drejtësisë qofshin Gjyqare, Prokurore, Avokatë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një sistem juridik i qëndrueshëm, i besueshëm, për popullin dhe në shërbim të popullit.
Siguria juridike në cdo vend demokratik perëndimor është një kusht i domosdoshëm për funksionimin e drejtë të shoqërisë dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive të individit. Ajo kërkon jo vetëm ligje të mirëformuluara dhe të qarta, por edhe një praktikë zbatimi të njëtrajtshme, të paanshme dhe të orientuar drejt së vërtetës objektive.



