PROTESTA ËSHTË HISTORIKE TASHMË
Protesta vazhdon. Megjithë problemet organizative dhe qëllimin që i duhet dhënë. Vazhdon sepse në krye tê qeverisë është ende Edi Rama i cili në 15 ditë ka shpenzuar të gjithë skenarët e imagjinatës së vet për ta shpjeguar, analizuar, menaxhuar, gjunjëzuar, tallur dhe relativizuar protestën.
I kapur në kurthin e kohës me një protestë që vazhdon 15 ditë, z. Rama është i detyruar të pranojë se atë një pjesë e Shqipërisë që nuk ka lidhje me Sali Berishën, nuk e do. Madje e sheh si problemin dhe fatkeqësinë e të ardhmes. Është kjo arsyeja e lodrave të njohura të negociimit në distancë, e asaj të famshmes “Kur do flasim”, replikë kundër replikë, që synon të zëvendëosjë Protestën si lajm me Diskutimet mbi Protestën.
Sot p.sh z. Rama e nisi ditën me një status anglisht në X, ku binte në sy se sipas tij protesta nuk është më për zonat e mbrojtura dhe e dyta se ajo ka bllokuar rrugën e Rinasit, një akt që ka natyrë destabilizuese. Karakterin politik ai e kalon për një opozitarizëm për të cilin mediat e huaja nuk ka pse të interesohen, të dytën për të thënë se këtu tani kemi të bëjmë me diçka tjetër.
Pra në vend se të dëgjojë, kryeministri po përgojon botërisht një çështje politike të vendit të tij.
Nga ana tjetër, gazeta “Tema” ka nisur shërbimin e zakonshëm: në një lajm ajo sjell një diskutim të z. Rama me një protestues të cilin ai e komplimenton për logjikën. Shenjë e qartë se po kërkon një grup me të cilin të flasë dhe pra ta djegë si kauzë(https://www.gazetatema.net/politika/rama-replika-me-protestuesit-respekt-per-etiken-mendon-ndryshe-nga-une–i567770). Pra ja “protestuesi që duam”, keqpërdorim ky selektiv i një qytetari i cili sillet si shembull për propagandën, jo për shqetësimin që ngre.
Nga ana tjetër, e njëjta gazetë raporton se bllokimin e Rinasit e sugjeroi një student nga Serbia(https://www.gazetatema.net/politika/zbulohet-mesazhi-nje-student-nga-serbia-eshte-truri-i-protestes-per-bll-i567783). Në të vërtetë mesazhi që publikohet është i njëjti me ato të publikuara në datën 4 qershor nga Mero Baze(https://www.gazetatema.net/editorial/protesta-duhet-mbrojtur-nga-protestuesit-jo-nga-kundershtaret-e-saj-i565672). Çka tregon se kemi të bëjmë me një përpjekje për të tkurrur legjitimitetin moral të protestës.
Më tej një sherr mes një filani dhe një fisteku që shpallen organizatorë proteste, vetëm e vetëm për të ndotur.
Çfarë shohim këtu është fare evidente: një kryeministër që synon të shuajë protestën, pa hequr dorë për asnjë çast nga synimet e tij në Zvërnec. Media që vetëm të tilla nuk janë, të dyja nga një fakt thelbësor: Protesta ka qenë e sukseseshme përtej çdo pritmërie. Ajo ka çakorduar një qeveri të tërë. Pa i folur dhe pa e kërcënuar.
Thjesht duke ekzistuar me njerëz që nuk pranojnë të jenë dekor në vendin e tyre.
Ndaj Protesta e ka suksesin tanimë Historik në këtë vend dhe ajo i ka të gjitha arsyet të vazhdojë. Po aq qytetare sa deri më sot duke i lënë mënjanë ashklat e zakonshme për tubime masive. Z. Rama le të vazhdojë rrugën e vet. Ai tashmë ka dalë lakuriq për atë që është.



