Shkrimtari Virion Graçi: I mbështes me zemër e me lutje protestat

spot_img
Advertisements

Virion GRAÇI

LETËR NË SHUMËS.

Po bashkoj disa mendime që shkëmbeva hidheprit me një mik, në fb, për ngjarjet e tashme.
Besoj se pushteti (i ri, nëse do ta kemi) buron&kushtëzohet nga pushteti (i vjetër/aktual.)
Vetëm partitë parlamentare kanë forcë ligjore/kushtetuese të bëjnë ndryshime, përmirësime në sistem, të bëjnë shantazhe, vija të kuqe dhe të vendosin kushte e afate. Në rastin tonë, partitë parlamentare, bashkë me të gjitha pushtetet e tjera, gjoja të pavarura që kanë rrjedhur prej tyre, prej kuvendit e qeverisë, janë për: Në vend numëro.
Protesta me tema të tilla si prona, pronari, e drejta pronësore, mund e duhej t’i kishin organizuar REPUBLIKANËT, si dhe partitë që mbajne logo partish historikisht muzeale, legalistët, ballistët, nëse këto e të ngjashme si këto nuk do të përdoreshin nga udhëheqja e personalizuar e PD sa për të mbledhur vota e për të mbajtur me fjalë bosh elektoratin jo socialist. Shoqatat e ish pronarëve e ish të të përndjekurve politikë, mund t’i kishin lëvruar publikisht këto motive esenciale…
Mund të ketë një rokadë në drejtimin e PS; mund të ketë një restaurim fatlum për fatin e vendit në programin qeverisës të PS, dashte Zoti: Braktisje e paketës së maleve/brigjeve/fushave e përmbushje e disa prej kërkesave që mund të lexohen në pankartat e protestës, por jo ndryshim tjetër. Nuk ka situatë njerëzore e strukturore në sistem sa një përfaqesie popullore nga protesta t’i jepet me urdhër të peshkut e drejta kushtetuese e – fol, shkruaj, vulos.
Ndryshimet sistemore gjeopolitike në vitet ’90, ndodhën brenda mureve të pallateve ekzistues. Ju duhej faktori PROTEST, për t’i arsyetuar së brendeshmi, brenda llojit si rrugë zgjidhje, e mirë e përbashkët, e jo tradhëti ndaj atdheut e partisë formatimet e reja, ndërhyrjet thelbësore në kushtetutë dhe në ekonomi.
PS ka ditur të bëjë rokadë në krye të ekzekutivit, duke devolvuar masat e shumta të pakënaqura, por duke mos lëshuar aspak pushtet real: çetave vullnetare opozitare u ka hequr objektin nominal të goditjes, Filanin, duke e zëvendësuar me Fistekun. Kaq. Kurse rivalja e saj në garën politike, PD-ja, ka bërë rregullisht të kundërtën. Ka sakrifikuar me vetëdije gjithçka, pushtetin e ushtarët por jo prijësin.
I mbështes me zemër e me lutje protestat.
Çdo njeri që lufton për drejtësi sociale e çështje të tilla te çmuara, humane, lufton edhe për mua.
V.

spot_img

Latest articles

Related articles