Revolucioni i gardheve: Të shembet çdo gardh

spot_img
Advertisements

Kur bien gardhet

Pamjet nga Dardha, Gjatri dhe më herët nga Zverneci kanë nxjerr në pah një fenomen të pazakontë për realitetin politik shqiptarë. E pazakonta është se po rrëzohen gardhet e pushtetit. Gardhi është ndoshta simboli më domethënës i tranzicionit shqiptar. Për tridhjetë e pesë vite kemi parë gardhe që ngrihen rreth institucioneve, pronave, resorteve, pyjeve, plazheve dhe pasurive publike. Sa herë është shfaqur një interes i fortë ekonomik apo politik, gjëja e parë që është ngritur ka qenë gardhi.

Në këtë kuptim, gardhi nuk është vetëm tel dhe hekur. Ai është mënyrë qeverisjeje. Ai shpreh bindjen se komuniteti duhet të qëndrojë jashtë, ndërsa dikush tjetër vendos që të rri brenda. Për vite me radhë shqiptarët janë mësuar të shohin gardhe të rinj duke u ngritur dhe janë larguar duke tundur kokën me fatalizmin e zakonshëm: “Nuk kemi çfarë bëjmë.” Kjo fjali ka qenë justifimimi më i fortë me të cilin janë ndërtuar gardhet e pushtetit.

Ajo që po ndodh sot është e kundërta. Njerëzit kanë vendosur më në fund të rrëzojnë jo vetëm gardhet fizike por edhe ato të pushtetit. Po zbehet gradualisht ideja se qytetari duhet të pajtohet me këtë realitet tridhtë e pesë vjeçar. Në Zvernec nuk ishte thjesht një ishull, në Gjadër po ashtu nuk ishte një zonë bregdetare si dhe në Dardhe nuk ishte vetëm një burim uji. Në të tre rastet, njerëzit po reagojnë kur kuptojnë se po humbasin diçka që e konsiderojnë pjesë të jetës së tyre. Dhe kur njeriu ndjen se po i merret diçka që është e tij, frika fillon të humbasë vlerë dhe trimfon e drejta.

Ka një ironi të madhe në gjithë këtë histori. Për vite me radhë politika shqiptare është përpjekur t’i bindë qytetarët se janë sovranë. Por sovrani i vërtetë nuk duket në fletën e votimit një herë në katër vjet. Ai duket kur refuzon të sillet si dëshmitar apo indiferent. Për këtë arsye, pamjet e banorëve që shtyjnë gardhet kanë më shumë peshë simbolike sesa qindra fjalime politike. Ato tregojnë një shoqëri që, të paktën për një moment, nuk po kërkon një lider t’i zgjidhë hallin, por po përpiqet ta mbrojë vetë atë që mendon se i takon.

Ndoshta kjo është arsyeja pse këto pamje japin mesazhin më shumë se një protestë e zakonshme. Sepse gardhet mund të rindërtohen. Frika jo gjithmonë. Dhe kur njerëzit mësohen se një gardh mund të bjerë, fillojnë të shohin ndryshe edhe gardhet e tjera, ato të padukshmet, që për shumë vite kanë ndarë pushtetin nga qytetari.

Në fund, historia nuk ka të bëjë me një gardh në Librazhd, Lezhë apo në Vlorë. Ka të bëjë me një shoqëri që po kupton se jo çdo gardhë i vendosur nga pushteti është e destinuar të mbetet aty përgjithmonë.

spot_img

Latest articles

Related articles