Stefan Çapaliku
Kam idenë se një nga shpjegimet që mund t’i jepet protestës vjen nga revolta që njerëzit në thelb po dëshmojnë kundër një sistemi të tërë, që çdo ditë është vetdeklaruar se nuk funksionon. A s’e kemi dëgjuar çdo ditë nëpër zyrat publike se “nuk punon sistemi”?
Mirëpo meqënëse sistemi është anonim, atëhere është gjetur me të drejtë përgjegjësi, i cili në vend që të kërkojë ndjesë dhe mirëkuptim për mosfunksionimin e sistemit, përkundrazi, në çdo kontakt njerëzor veçse ka fyer bashkëpuntorët, kundërshtarët dhe të tjerët përrreth.
Njerëzit e kanë duruar, sepse kanë dashur të shohin te ai institucionin e kryeministrit, por kur kjo sjellje është amplifikuar pa fund, atëhere kanë nisur t’i japin kuptim asaj batutës së filmit shqiptar “Në fillim të verës”
- Kush e vrau kaporal Pelegrinin?
- Unë e vrava.
- E pse e vrave?
- Se më fyu rëndë.
Protesta pra mund të shihet edhe si shfaqja e një traume kolektive e karakterit psikanalitik e shkaktuar nga ky kampion i bullizmit, i cili është i pakënaqur që fati e ka caktuar të drejtojë një vend kaq “të vogël” (ndaj dhe nuk e do) si dhe me një popullsi kaq “të trashë”. Ai ka shfaqur shenja të qarta se do donte të ishte lideri i Mongolisë p.sh, ose i një vendi edhe më të madh se kaq. Kësisoj, i gjetur i parealizuar dhe i “persekutuar”, nuk arrin të kontrollojë më sjelljet e veta.
Mirëpo populli ynë nuk është një popull “literal”. Ai ka një personalitet sanguin. Është i mbruajtur me struktura shpirtërore idiomatike dhe ka në krye disa mite të trashëguara, që e bëjnë të shpërthejë në mënyra nga më të paparashikuarat:
“Se ne t’parët nji kanu na kanë lanë
Armët me dhanë paraa e mandej gjanë…”
Mandej, duhet thënë se për brezin e ri, i cili po e mban gjallë protestën, si lideri i pozitës dhe si ai i opozitës janë njësoj të vjetër dhe të marrë fund.



