Pakënaqësia qytetare e akumuluar prej vitesh, e shprehur shpesh vetëm në biseda private dhe në heshtje, kundër kësaj klase politike qeverisëse të korruptuar dhe çdo fenomeni tjetër negativ postpluralist në Shqipëri, kishin arritur kulmin!
U desh vetëm një shkëndijë e vogël për të patur një reagim të madh qytetar. Sot po shohim se si nisur nga një kauzë lokale, kjo pakënaqësi e mllëf i kthyer në protestë, fatmirësisht mori përmasa të gjera!
Një shoqëri demokratike ka nevojë për institucione që funksionojnë, pluralizëm politik të vërtetë, ekonomi tregu të lirë dhe investime, për shtet të së drejtës, vendimmarrje që i shërbejnë të ardhmes së vendit dhe kombit si dhe qeverisje transparente që vendos interesin publik dhe kombëtar mbi interesat personale apo të grupeve të ngushta lidhur me pushtetin, këto në thelb kërkojnë edhe protestuesit!
Kur qytetarët ngrihen për të mbrojtur këto parime, ata mbrojnë vetë demokracinë prandaj për ta kërkohet mbështetje, kurajo për qëndresë dhe vendosmëri, që të mos dorëzohen para presioneve, manipulimeve apo përpjekjeve për ta devijuar kauzën nga qëllimet e saj të drejta për një Shqipëri ndryshe.



