Nga @Admir Malaj, #ZëriIntegrimit
Imagjino sikur të të qeverisë një mbret i keq, lakmitar, i padrejtë, i papërgjegjshëm dhe kapriçoz!
Imagjino që nuk ke mundësi ta ndërrosh!
Çfarë do bëje?
Historia, ashtu si dhe letërsia, janë të mbushur plot me shembuj revoltash ndaj këtyre mbretërish, patriarkësh apo njerkësh shoqërorë.
Po a duhet të përshkallëzojë deri në revoltë kjo pakënaqësi? A mund të evitohet konflikti i ashpër?
Patjetër që po!
Mjafton të krijosh kushtet që mbreti të jetë i përgjegjshëm e i drejtë dhe në rast se kjo nuk ndodh, të kesh mundësi ta ndërrosh.
Epra kaq e thjeshtë!
Prandaj duhet një reformë në drejtësi dhe një në sistemin zgjedhor.
E para, për të evituar që lakmitarët dhe të papërgjegjshmit të gëzojnë privilegjet e fronit mbretëror, duke ulur kështu konfliktin shoqëror që lind nga fakti thjeshtë që një ha dhe një mijë shohin, sepse kështu do mbreti.
E dyta, për të zgjedhur mbretër të drejtë, të përkushtuar dhe të talentuar.
Ndonjëherë duket sikur e para sjelle të dytën, ose e kundërta, edhe kjo si puna e “e vezës apo pula”.
Ndofta do kishte qenë mirë të bënim reformën zgjedhore më parë, por fakti është që filluam me tjetrën. Tani e nisëm dhe duhet ta bitisim.
Fatkeqësisht reforma në drejtësi është e drobitur nga loja politike e atyre që kanë uzurpuar fronin e mbretit me një palo ligj elektoral, që deformon vullnetin e zgjedhëzve dhe ka futur në parlament jo pak kriminelë rruge dhe zyre.
Pra mbreti i keq vazhdon të qëndrojë në fron dhe si për tallje, vazhdon të na shpërqëndrojë me grricje skenike, ndërkohë që trashet me lukse dhe fshin çdo pasuri tonën të përbashkët.
Kush janë grricjet? Po sheshi, parku, teatri, plehrat, armët kimike, tuneli, lumi … çdo ditë një grricje, çdo ditë më larg zgjidhjes.
Unë personalisht jam me çdo protestë ndaj mbretit, sepse vetëm në këtë mënyrë mbreti bëhet më i përgjegjshëm.
Po kryesisht vetëm dy nuk do humbas kurrë, madje do jem në rradhë të parë:
Ato për reformën në drejtësi dhe ato për një reformë zgjedhore të vërtetë.
Sepse, nëse grricjet më lart bëhen për të më shpërqendruar, madje me pak lezet edhe më bëjnë të mendoj se kam fituar ndonjë gjë, sepse disa blihen në sedër dhe disa në xhep.
Tronditjet që mund të flakin mbretin janë të padëshirueshme. Sepse sikur të kishte drejtësi dhe demokraci në këtë vend, ato grricjet më lart as do mendohej që mund të bëheshin, e më shumë akoma, këto mbretër që kemi, do ishin duke larë pjata nëpër restorante, ashtu siç po i lajnë shumë shqiptarë të ndershëm, të vrarë në shpresa nga mbretër të keqinj, “njerkër kombi”.
Bjerini “njerkut”! Kërkoni drejtësi, kërkoni demokraci!
*Letër e hapur për shoqërinë civile Shqiptare
ribotim i 1 Korrikut 2018 nga Faktor.al



