Deputeti i PD Belind Këlliçi ka denoncuar shokun e vëllait të kryeëministrit Olsi Rama, Get Haka, lidhur me një transaksion për një sipërfaqe toke të blerë 320 mijë euro, të cilën më pas e rivlerësuar në 26 milionë euro.
Me gjysmën e shumës, shkruan deputeti demokrat, Haka është bërë pronar i kazinosë në kullën e Air Albania. Këlliçi shton më tej se e gjitha ka ndodhur nën hundën e institucioneve shqiptare.
“Shokut të ngushtë të Olsi Ramës i ka ndodhur një mrekulli financiare, një përmbysje e paimagjinueshme dhe në skenaret e Hollivudit.
Për 2 muaj, ai ‘blen’ një tokë 320 mijë euro dhe e rivlerëson 26 milionë euro. Me gjysmën e kësaj toke ai bëhet pronar i kazinosë së kullës Air Albania.
Kjo lëvizje bëhet nën hundën e disa institucioneve që monitorojnë dhe teorikisht luftojnë pastrimin e parave, me në krye SPAK!
Me Edi Ramen, Olsi dhe shokët e tij kanë gjetur parajsën në Shqipëri.
Jo më kot, ndërsa kanë ikur 1 milionë shqiptarë nga vendi prej qeverisjes së keqe, korrupsionit e lidhjeve me krimin, i vetmi që është kthyer është vëllai i Kryeministrit dhe shoqëria e tij!!!” – shkruan Këlliçi.
Më herët kreu i PD-së Berisha bëri një deklaratë në anglisht lidhur me çështjen e lartpërmendur, duke ngritur akuza për një skemë të pretenduar që, sipas tij, lidhet me dhënien e licencës së kazinosë “Space+” tek Air Albania dhe përfshirjen e Olsi Ramës.
Nëpëmjet postimit të publikuar edhe në anglisht, Berisha pretendon se përmes një skeme offshore me kompaninë “GLG Investment” dhe një transaksioni mbi një pronë në Kepin e Rodonit, e blerë për 320 mijë euro dhe e rivlerësuar në 26 milionë euro brenda 60 ditësh, u mundësua sigurimi i licencës për kazinonë.
E gjitha lidhet me një aferë të pretenduar lidhur me licencën e dhënë për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë në kullën “Air Albania”.
Gjatë konferencës pwr shtp paraditen e sotme, Berisha e Këlliçi, u ndalën te mënyra e dhënies së licencës, ndryshimet e pronësisë së kompanisë “Space +”, transaksionet me tokat e përdorura si kapital dhe dyshimet për fshehje të pronarëve përfitues përmes kompanive offshore. Berisha dhe Këlliçi kanë ngritur gjithashtu akuza për lidhje të mundshme mes subjekteve të përfshira dhe individëve pranë familjes së kryeministrit Edi Rama, duke bërë të ditur se materiali i plotë do t’i dërgohet SPAK për hetim.



