Kompania Salillari e biznesmenit pëllumb Salillari është shpallur fituesja e koncesionit 35 vjeçar për ndërtimin dhe operimin e rrugës Milot Balldrenë.
Kapitali ka mësuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur të përzgjedhë kompaninë Salillari si fituese në garën për konçesionin, i cili sipas planit të biznesit pritet të gjenerojë më shumë se 1 miliardë euro të ardhura për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes.
Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu, të cilin qeveria ka vendosur që ta ndërtojë të gjithin me koncesion.
Deri tani qeveria shqiptare ka tenderuar 4 segmente të këtij Korridori. I pari, që është realizuar tashmë është autostrada Thumanë-Kashar e ndërtuar me koncesion nga kompania Gener 2. Dy segmentet e tjera nga Kashari deri në Fier janë fituar respektivisht nga Gjoka Konstruktion dhe Fusha, ndërsa aksi nga Thumanë-Milot është fituar sërish nga Gener 2.
Milot-Balldrenë është segmenti i pestë koncesionar. Ai ka një gjatësi 17 kilometër të gjatë dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.
Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit. Por sipas llogarive të planit të biznesit, për këtë periudhë që do të jetë nën zotërimin e privatit, ky aks do të gjenerojë rreth 1 miliardë euro të ardhura nga tarifa e kalimit.



