Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një video nga protesta e të hënës para zyrës së tij, ku një grup protestuesish dëgjohen teksa e ofendojnë.
“Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet”, shkruan Rama në reagimin e tij.
“Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik. Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo? Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni. Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara: ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.



