Shënim për “Të huajt” e Binak Kelmendit | nga Virion Graçi

spot_img
Advertisements

Virion GRAÇI,

“Ishin ose më drejt, kishin qenë, dy shokë. Nuk mund të thuhet, ose shkrimtari kishte shkruar kështu në bllokun e gjysmë djegur gjetur nën një dritare të nxjerrë me rrënjë nga muri, që ata të kishin qenë shokë të hershëm e të pandashëm njëri me tjetrin, për shkak se, sipas shënimeve të shkrimtarit, ata, të dy shokët, ishin njohur vonë ose dhe shumë më vonë ishin njohur me njëri -tjetrin, më vonë shumë kishin zënë të shoqëroheshin bashkë dhe shumë më vonë akoma kishin filluar të bëheshin njëmend shokë të fjalës e të mendimit, e dikur, ndoshta, edhe të idealit.”
Kështu nis romani “Të huajt”, i Binak Kelmendit, (Kosova Pen Center, 2025); duket sikur autori është për një aventurë të mirëfilltë të përsiatjes intelektuale, si parodi sokratike për idetë në modë, në qarkullim dhe veçmas për tregtarët, afishuesit dhe fetishizuesit e ideve. Këtë ta premton kreu i parë i librit, IDEALI, që është në shtrirje ndër më të gjatët dhe jep dialogun midis dy shokëve, ose ish shokëve. Megjithatë, sikundër në katër-pesë romane të mëparshëm, B. Kelmendi është i përcaktuar mirë në lëndën historike/autobiografike, kujtesë e romanizuar e disa breznive familjare, kujtesë e romanizuar etno-gjeneze asaj pjese historie të Kosovës ku paraardhësit e tij e ai vetë, kanë rolin e tyre, pjesën e tyre të fatit si dhe shenjat e tyre, plagët e hapura.
Dhe libri i ri, “Të huajt”, i përket këtij lloj disponimi, kronikë historike/autobiografike e romanizuar, por kësaj radhe, autori, nëpërmjet narratorit të relativizuar si shkrimtar me si, bëhet përzgjedhës faktesh e pamjesh, në funksion të një ideje qendrore: çfarë na ndan e përçan fatalisht prej vitesh e shekujsh? A është determinizëm, a mund të jetë vetëm e tillë natyra njerëzore? Dhe, më e rëndësishmja, a janë idealistë bartësit e idealeve e platformave vrastare, eleminuese, shkatërruese? Në emër të idealeve vetjake një udhëheqës çon në mjerim popullin e tij; në emër të idealit vetjak dikush pushton, spastron, asgjëson popujt përreth; në emër të idealit vetjak është gati të hedh në kumar pjesën tjetër të kombit; në emër të idealit vetjak pastaj vritemi e ndahemi mes nesh. Kështu ideali i një grupi tëhuajëzon pjesën tjetër të shoqërisë, e nxjerr nga normaliteti, e fut në betejë të përditshme mbijetese e ekzistence. Njeriu del i tepërt, në fazë të parë dhe ndihet i shenjestruar si armik, në aktin tjetër të dramës.
Shqiptari (i Kosovës) ndihet i huaj në vendin e tij, në ish Jugosllavi, i huaj, në rrezik shfarosjeje, në gjueti diferencimi, së pari dhe në proces spastrimi etnik, në fazën tjetër. Ai gjendet i huaj në Shqipërinë e aq dëshiruar, “nuk është fare Shqipëria ajo që është folur dhe ajo që është menduar dhe sidomos nuk është fare ajo që e kemi ëndërruar”; i huaj në banesën e tij në Prishtinë, i huaj në kampin e refugjatëve të Bllacës, i huaj në Tiranë, i huaj në strehimoret e tjera për refugjatët e luftës në Francë e gjetkë. Shqiptari i Kosovës, intelektuali/shkrimtari, ndihet i huaj te 15 katëshi, simboli i hotelerisë turistike në Shqipërinë komuniste, por po aq i huaj, i kontrolluar fizikisht edhe te Hotel Grandi i tij në Prishtinë, pasi kanë hyrë trupat ndërkombëtare; ai trajtohet si i huaj, edhe kur kërkon të rikthehet në redaksinë e tij, në punën e tij të mëparshme, “Nuk shkohet atje. Është lamë e dreqit në atë gazetë. Nuk e njeh qeni të zonë”. “Pse?” “Në hyrje janë vënë emrat e atyre që nuk mund të punojnë?” “Pse?” “Janë klasifikuar heronjtë dhe tradhtarët”. “Pse” “Janë përzier idealet.” “Pse?” “Sepse kemi shumë ideale?” “Po”. “Domethënë dhe aty të huaj?” “Edhe aty, edhe atje, edhe këtu, i huaj, të huaj.” “Një herë i huaj, gjithmonë i huaj.”
Romani, në dukje është historia e një kryefamiljari që bashkë me familjen, gruan e dy vajzat, kalon etapat e tmerrshme të luftës e të pas luftës në Kosovë. Historia është treguar bukur, me ndjenjë e me elegancë, falë kulturës së lartë shpirtërore e shkrimore të autorit i cili, në perceptimin e lexuesit, identifikohet me narratorin. Romani, diku del nga korniza e shtegtimit familjar duke fituar një shtrese epike e tragjike, njëkohësisht, në kreun e quajtur, “Ushtar në ushtrinë e tjetrit”, dhe “Rivarrimi i vëllait”. Këto dy pjesë i japin historisë retrospektive thellësi dhe vetëdije ditore: armiqësia është shekullore, mundësitë po ato: konvertim ose shfarosje; 101 vjet pas vrasjes së Halilit të parë, vritet në vitin 1999, duke mbrojtur shtëpinë stërgjyshore Halili pasardhës, i ditëlindjes 1940, nga e njëjta ushtri, me të njëjtin arsyetim: shqiptar.
Romani është monument dëshmie kolektive e kujtese familjare, punuar mjeshtërisht. Të kujton statujat e Mikelanxhelos; përsiatjet e autorit B. Kelmendi dhe habia e tij filozofike për idetë vrastare e çnjerëzore, janë të mezi dukshme, si damarë të shfaqur me kujdes, vende-vende në mermerin e latuar me hijeshi, duke kërkuar përqendrim e vëmendje për ti dalluar si pulsojnë poshtë lëkurës.
“Të gjithë kishin qenë shumë trima, shënon ironikisht autori tek ndihet e trajtohet si i huaj në Kosovën e çliruar, të gjithë kishin marrë pjesë në luftë, në të gjitha betejat e saj, që në orët e para, vetëm ai jo, në asnjërën nga to.”
Romani, është dhe histori e individit, e kryefamiljarit, e ish gazetarit, përkthyesit, shkrimtarit të mirënjohur. Unitetin e 14 rrëfimeve që përbëjnë romanin “Të huajt” e siguron fizionomia e narratorit, struktura e tij etike e morale, mendësia dhe mënyra e të parit të botës e të vetes- çka të çojnë te personaliteti i autorit, te autoportreti i tij letrar. Dhe më mirë se me fjalët e tij, nuk mund ti mbyllnim ndryshe këto shënime: “Kush janë ata ose këta që po më trajtojnë kështu? Prapë doni të më impononi idealin tuaj? Por, dijeni, dhe ju jeni të huaj për mua. Dhe kuptojeni, as unë nuk dua ta njoh dhe nuk do ta pranoj idealin tuaj! Kurrë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment nuk do ta pranoj atë ideal. Sepse ju keni shumë tepër ideale vetëm për vete dhe për askënd tjetër, aq më pak për mua. Edhe unë do ta mbaj timin. Do ta mbaj idealin tim. Gjithmonë. Dhe do të jem i huaj për të gjithë të huajt që më trajtojnë si të huaj. Gjithmonë.”

spot_img

Latest articles

Related articles