Egnatia është sërish në majën e futbollit shqiptar. Skuadra e Nevil Dedes ka fituar titullin kampion të sezonit 2025/26, duke kurorëzuar një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me trofeun më të rëndësishëm në vend. Fitorja 2-0 ndaj Dinamos në “Elbasan Arena” i dha fund çdo llogarie dhe i lejoi rrogozhinasit të festonin titullin e tretë radhazi dhe të tretin në historinë e klubit.
Ishte një garë që mbeti e hapur deri në sekondat e fundit të kampionatit, me Elbasanin që shpresonte deri në fund te një hap fals i Egnatias. Por skuadra e Dedes nuk lejoi surpriza dhe e mori vetë në dorë fatin e saj.
Në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, Egnatia gjeti heroin e saj. Alessandro Albanese mori përsipër përgjegjësinë dhe vendosi praktikisht fatin e titullit brenda pjesës së parë.
Sulmuesi belg hapi sfidën nga pika e bardhë në minutën e 29-të, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij në një moment kur presioni ishte maksimal. Vetëm dhjetë minuta më vonë ai goditi sërish, duke realizuar golin e dytë që vulosi suksesin e rrogozhinasve.
Me avantazhin e dyfishtë, Egnatia administroi ndeshjen me maturi, ndërsa Dinamo, e kufizuar edhe nga mungesat e shumta, nuk arriti të rikthehej në garë.



