Ideologjia e censurës së sotme dhe e keqja më të vogël

spot_img
Advertisements

nga Kel Demi

Shembja e mureve në fund të shekullit XX solli me vete lirinë e shprehjes edhe për ne të izoluarit, kënaqësinë e debatit, polemikës, shpërthimin e reformimit të të menduarit.
Është koha, kur në botë e majta dhe e djathta nisin të afrohen drejt qendrës. Shfaqen neo konservatorët apo “rruga e tretë” e Tony Blair. Flitet për liberalizmin, shndërrimin e konservatorizmit në qendër të djathtë. Ndodh që e majta dhe e djathta të kalojnë ngurtësinë e ndikimeve të luftës së ftohtë, të ulen për të gjetur zgjidhje, zhvillime të reja, jo rrallë të bashkëqeverisin. Është koha e një zhvillimi ekonomik, teknologjik, i cili po na çelte dyert e botës së sotme. Është e fundmja periudhë e burrave dhe grave të shtetit.
Kjo është ende koha e kinemasë, muzikës, letërsisë, arteve, shkencës. Është akoma koha, kur dhënia e një çmimi Nobel ka meritë, jo kuptim ideologjik.
Vitet 2000 na marrin në rrjedhën e tyre në një tjetër botë. Është telefoni thelbi i botës sonë. Komunikimi merr pushtetin. Rrjetet sociale e kthejnë të panevojshme rubrikën e mirënjohur të Umberto Eco-s në revistën “L’Espresso”. Njerëzit tashmë i dinë gjërat vetë, nuk kanë nevojë për kalluz që u shpjegon me ironi fax-in apo mikrovalën. Këtu fillon bota e thjeshtëzuar, ku njeriu lëviz me formula të gatshme, shabllone a histori të paqena, të cilat dikush i shpjegon kaq thjeshtë në mënyrë shterruese, siç bënte budallai i fshatit i Umberto Eco-s, ndërsa fliste për futboll në kafene.
Sot, jemi të rrethuar nga një teknologji e paimagjinueshme, kemi inteligjencë artificiale, robotika me gjasë do të na zëvendësojë njeriun, Papa shkruan një enciklikë bash për këtë hall, por të paktë janë ata që e vrasin mendjen për këtë.
Nëse shkëputesh vetëm për një dekikë nga realiteti i përditshëm dhe ta vëzhgosh shoqërinë si i ardhur nga botët e tjera, do të na duket një realitet i paqenë, i krijuar nga fantazia shkencore e ndonjë shkrimtari vizionar.
Pikërisht në këto kohë, kur ti gjen gjithçka në telefon, kompjuter, unë has në një censurë të pashembullt, e cila po rrezikon të kufizojë thelbin e fundshekullit XX; lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit. Njerëzit sot e kanë të lehtë të të etiketojnë, por nuk të dëgjojnë, shumë shpesh ata që të vënë etiketën, janë nervozë, të rrëmbyer, kanë një mllef, të cilin nuk ua shpjegon dot.
Jetojmë në botën, ku idetë nuk diskutohen, por manifestohen. Nëse ti ke dëshirë të diskutosh ndonjë prej tyre, pasi je formuar në shekullin e shkuar, ku njerëzia bisedonte, ti rrezikon të mënjanohesh, të të mbyllin gojën. Kush guxon të shkruajë një mendim kundër ideologjisë së tufës, mallkohet deri në shuarjen e farës po prej tufës.
Le të provojë ndonjëri të thotë një gjysëm fjale për qëndrimin e Palestinës ndaj Kosovës, kur bëhej gjenocid në tokën tonë, do e akuzojnë për gjakprishur që është pro-çifut. Thuaji ti sa të duash që ishe ndër të parët, kur u shprehe publikisht se ajo që ndodhi në Gaza qe gjenocid, ata të bëjnë vëlla me Netanjahun pa një, pa dy. Thuaj ti po ta mbajti se Trump është një bombë marroke në lëvizje, të tjerë do të të hidhen në shpinë të të kafshojnë, pasi je komunist apo pjesë e estabilshmentit të Brukselit. Ti mund të thuash që je antikomunist, por ata të thonë ta qepësh, se e ke dredhur. Mendoni tani të shprehesh për familjen, paradat, Flotilla-n, fashizmin, populizmin, nacionalizmin. Mendo të dalësh pro vaksinave, të quash marri që shqiptarët kanë mbirë para Adamit dhe Evës. Mendo të dalësh kundër tokës së sheshtë, reptilianëve, botës së nëndheshme, ku fluturojnë trena.
Është instaluar diktatura e mendimit. Censura nuk të lejon të diskutosh. Ajo kërkon të pranosh. Prandaj, nesër pasnesër një njeri i thjeshtë, i cili ka një familje, një strehë ka frikë se do ia marrin atë bërthamë që e ka krijuar me mund, për të cilën është i lumtur. Ndaj, e ka të nevojshme të mbrohet, por jo duke zgjedhur të mirën, pasi kjo nuk njihet më. Ai do zgjedhë të keqen më të vogël sipas mendjes së tij. Kështu papandehur vijnë në pushtet ekstremistët; komunistët, fashistët, populistët. Dhe pastaj, kur vijnë habitemi. Kur shoqëritë degjenerojnë në korrupsionin e vrasjes së lirisë, populli i pambrojtur shkon tek zgjedhja e “shpëtimtarëve” që sollën luftrat apo diktaturat. Mungesa e lirisë nuk ka si me pjellë liri, prandaj po si populistët fajin e kanë ideologët e ditëve të sotme me flamuj shumëngjyrësh që nuk të lënë me fol a me u shpreh ndrysh.

spot_img

Latest articles

Related articles