Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë homazhe për Nënë Tereza gjatë një vizite në selinë e Missionaries of Charity në Kolkata, në ndalesën e parë të turneut të tij zyrtar në Indi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rubio publikoi foto nga vizita dhe vlerësoi figurën e humanistes shqiptare, duke theksuar se ndikimi i saj vazhdon të mbetet i gjallë përmes punës së motrave të bamirësisë që ajo themeloi.
“Nënë Tereza la një trashëgimi të jashtëzakonshme dhembshurie dhe shërbimi. Pata nderin të vizitoja sot Misionaret e Bamirësisë për t’i bërë homazh trashëgimisë së saj dhe për të parë shembullin e gjallë të besimit katolik në veprim”, shkroi Rubio.
Sipas raportimeve nga mediat indiane dhe pamjeve të publikuara, Rubio u ndal në “Mother House”, qendra historike ku jetoi dhe shërbeu Nënë Tereza dhe ku prehen edhe eshtrat e saj. Ai zhvilloi takime me motrat e urdhrit dhe vizitoi ambientet e institucionit që prej dekadash kujdeset për të varfrit, të sëmurët dhe fëmijët në nevojë.
Vizita ka marrë vëmendje të veçantë pasi është një nga momentet simbolike të udhëtimit të parë zyrtar të Rubios në Indi si kryediplomat amerikan, ndërsa në sfond zhvillohen edhe takime të nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Indisë për çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit strategjik.
Figura e Nënë Terezës mbetet një nga emrat shqiptarë më të njohur në botë, ndërsa urdhri i saj vazhdon aktivitetin në dhjetëra vende duke mbajtur gjallë mesazhin e shërbimit ndaj njerëzve më në nevojë.



