Ambasadorja izraelite në Shqipëri: Anijet për Gazën janë propagandë, jo ndihmë humanitare

spot_img
Advertisements

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka reaguar në lidhje me lëvizjet e fundit të flotilave detare që synojnë të çajnë rrethimin e Gazës.

Nëpërmjet një reagimi, Peleg shkruan se, imazhi i paraqitur në media i këtyre aktivistëve si humanitarë të guximshëm shembet përpara çdo verifikimi minimal, duke i cilësuar këto udhëtime jo si misione ndihme, por si fushata të pastra të marrëdhënieve publike për të dënuar Izraelin.

Peleg thekson se nëse qëllimi i vërtetë do të ishte ndihma humanitare, këto grupe do të shfrytëzonin kanalet legjitime ndërkombëtare të koordinuara që funksionojnë që nga fillimi i luftës, përmes të cilave Izraeli lehtëson kalimin e ushqimeve dhe medikamenteve pasi skanon ngarkesat për të parandaluar futjen e armatimeve të Hamasit.

“Ekziston edhe një rrugë tjetër e dukshme për ndihmë: kufiri egjiptian. Megjithatë, çuditërisht pak nga këta aktivistë shfaqin ndonjë entuziazëm për t’u përballur me Egjiptin për kufizimet e tij. Pse? Sepse sfida ndaj Egjiptit nuk gjeneron tituj lajmesh. Nuk ushqen narrativën globale të preferuar. Nuk ndihmon në demonizimin e Izraelit. Kjo është pika e vërtetë. Flotilat nuk janë krijuar për të ofruar furnizime. Ato janë krijuar për të ofruar imazhe,” – shkruan ambasadorja.

Diplomatja ngre pikëpyetje të mëdha edhe mbi financimin e këtyre fushatave, duke cituar dëshmi të dokumentuara se rrjete të lidhura me mbështetësit e Hamasit në Europë dhe qeveri që përkrahën sulmet terroriste të 7 tetorit kanë derdhur para në këto organizime.

Sipas saj, ky aktivitet ushqehet nga i njëjti ekosistem si demonstratat agresive anti-izraelite nëpër botë, të cilat nën petkun e solidaritetit me palestinezët, shpesh fshehin armiqësi ideologjike dhe antisemitizëm.

Në reagimin e saj, Peleg nuk kursen as figurat publike apo liderët europianë që heshtin nga frika politike e reagimit të votuesve në rrjetet sociale, ndërsa merr si shembull shndërrimin e aktivizmit mjedisor në një mjet për përfitim vëmendjeje.

“Greta Thunberg është një shembull goditës i këtij fenomeni. Dikur e parë si fytyra e idealizmit mjedisor rinor, ajo gjithnjë e më shumë i është bashkangjitur fushatave të thjeshta politike që shpërblejnë performancën mbi substancën. Transformimi i saj pasqyron një problem më të gjerë: aktivizmi është bërë më pak për zgjidhjen e problemeve dhe më shumë për të sinjalizuar virtytin,” – nënvizon Peleg.

Ambasadorja argumenton se ky lloj “teatri politik” devijon vëmendjen dhe burimet financiare që mund të shkonin për rindërtimin real të spitaleve, infrastrukturës dhe ekonomisë në Gazë.

Për të ndihmuar vërtet civilët, Peleg bën thirrje që komuniteti ndërkombëtar të investojë te strukturat legjitime rajonale, të ndalë romantizimin e ekstremizmit performues dhe të ushtrojë presion mbi organizatat terroriste që i përdorin qytetarët si mburoja njerëzore, duke bërë ndarjen e qartë mes humanitarizmit të vërtetë dhe propagandës.

spot_img

Latest articles

Related articles