Përfaqësues të Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 morën pjesë në takimin këshillues të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) zhvilluar në mjediset e
qendrës “Sotir Kolea, më 20 Maj 2026, në kuadër të procesit të rishikimit të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë.
Forum 26 vlerëson rëndësinë e këtij procesi konsultues dhe rithekson se Çmimet Kombëtare të Letërsisë përbëjnë një mekanizëm të rëndësishëm për mbështetjen dhe promovimin e letërsisë së një vendi, pasi ato vlerësojnë autorët dhe veprat me ndikim, forcojnë identitetin e letërsisë nacionale dhe e përfshijnë atë në zhvillimet dhe proceset bashkëkohore letrare ndërkombëtare.
Çmimet letrare duhet të jenë sa më të shumta në numër, sepse ato përbëjnë një instrument të rëndësishëm mbështetjeje për autorët, librin dhe botuesit, duke ndihmuar që veprat me vlera të arrijnë më lehtë te lexuesi dhe të fitojnë jehonë në jetën kulturore.
Forum 26 thekson se Çmimet Kombëtare të Letërsisë duhet të respektojnë ndarjen tradicionale të tri gjinive të mëdha letrare — epike, lirike dhe dramatike — duke garantuar vlerësim të veçantë
për prozën, poezinë dhe dramaturgjinë. Në këtë kuadër, shprehim shqetësimin për përjashtimin nga konkurrimi të disa zhanreve letrare, si poezia, tregimi dhe letërsia për fëmijë, pa një akt të
argumentuar dhe publik. Forum 26 propozon rikthimin e këtyre kategorive në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, si edhe përfshirjen e një çmimi të veçantë për dramaturgjinë.
Forum 26 vlerëson se procesi duhet të mbështetet mbi rregulla të qarta, të qëndrueshme dhe transparente. Rregullorja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë duhet të përcaktojë qartë mënyrën e
ngritjes dhe funksionimit të jurisë, kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të saj, procedurat e konkurrimit, dokumentimin institucional të vendimmarrjes, trajtimin dinjitoz financiar të autorëve fitues dhe mekanizmat promovues për veprat e vlerësuara. Një element thelbësor i kësaj rregulloreje duhet të jetë edhe kodi i etikës, i nënshkruar nga anëtarët e jurisë, ku të përcaktohen qartë konfliktet e interesit dhe rastet e cenimit të integritetit të procesit vlerësues.
Po kështu, është vështirë të konsiderohet realist pretendimi se një juri mund të lexojë në mënyrë të plotë dhe cilësore të gjithë prodhimin letrar të një viti. Volumi i madh i krijimeve letrare duhet të filtrohet nëpërmjet propozimeve nga departamentet e letërsisë që studiojnë letërsinë bashkëkohore, institucioneve të letërsisë, klubeve të leximit dhe instituocioneve që lidhen me letërsinë të cilat duhet të propozojnë vepra letrare për konkurrim bashkë me arsyetimin përkatës.
Forum 26 vlerëson gjithashtu se përbërja e jurive duhet të mbështetet mbi parimin e shmangies së konfliktit të interesit dhe të ruajtjes së integritetit profesional të procesit vlerësues. Për këtë
arsye, Forum 26 propozon që juritë të përbëhen kryesisht nga studiues të letërsisë, kritikë letrarë, akademikë, dhe profesionistë të fushës së librit, të cilët mund ta ushtrojnë vlerësimin nga një pozicion më i distancuar kritik dhe institucional.
Në këtë aspekt, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si institucion publik i financuar nga buxheti i shtetit, ka detyrimin të garantojë transparencë dhe informim publik gjatë gjithë procesit
të konkurrimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin për të drejtën e informimit.
Forum 26 dëshiron të ngrejë edhe një çështje thelbësore që lidhet me vetë karakterin e këtyre çmimeve. Aktualisht, Çmimet Kombëtare të Letërsisë nuk janë kombëtare në kuptimin e plotë
kulturor dhe gjuhësor të fjalës, pasi autorët shqiptarë nga Kosova dhe hapësirat e tjera shqipfolëse nuk mund të marrin pjesë në konkurrim. Po kështu, në Çmimet Vjetore që jepen për
letërsinë shqipe në Kosovë nuk mund të marrin pjesë autorë nga Shqipëria. Kjo praktikë ku dy shtetet shqiptare japin çmime shtetërore për letërsinë ka krijuar një situatë absurde: një autor
shqiptar që jeton në Kosovë por e boton librin në Tiranë, nuk mund të marrë pjesë në asnjërin prej këtyre konkurrimeve letrare: nuk merr pjesë në Shqipëri se nuk është shtetas i Shqipërisë
dhe nuk merr dot pjesë në Kosovë sepse librin e ka botuar në Shqipëri. Mirëpo, letërsia nuk i përket shtetit por gjuhës, ajo është një dhe e pandashme.
Duke qenë se gjuha shqipe është atdheu ynë i përbashkët kulturor dhe letrar, Forum 26 vlerëson se këto çmime duhet të rishikojnë kriteret e pjesëmarrjes dhe të parashikojnë përfshirjen në konkurrim të autorëve që shkruajnë në gjuhën shqipe, pavarësisht territorit shtetëror ku jetojnë dhe botojnë.
Nëse një zgjerim i tillë nuk është i mundur në kuadrin aktual institucional, Forum 26 propozon themelimin e një Çmimi të Madh Mbarëkombëtar të Letërsisë. Një çmim i tillë do ta vendoste
gjuhën shqipe në qendër si hapësirë të përbashkët kulturore dhe do të ndihmonte në kapërcimin e fragmentimit kulturor shqiptar, duke krijuar një hapësirë më të integruar dhe më të barabartë të
letërsisë shqipe. Ai do të kontribuonte në krijimin e një kanoni më përfaqësues për letërsinë shqipe bashkëkohore, do të nxiste qarkullimin e veprave, ideve dhe bashkëpunimeve kulturore
ndërmjet hapësirave shqipfolëse dhe do të forconte standardet profesionale të vlerësimit letrar.
Për brezat e rinj të autorëve, veçanërisht për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, një çmim i tillë do të përbënte edhe një mesazh të rëndësishëm kulturor se gjuha shqipe mbetet një hapësirë e hapur
krijimi, identiteti dhe përkatësie shpirtërore, pavarësisht vendit ku jetojnë apo botojnë.
Forum 26 vlerëson se modelet europiane tregojnë qartë se investimi në letërsi dhe në çmimet letrare është një tregues i rëndësishëm i seriozitetit të politikave kulturore të një vendi. Përvoja europiane dëshmon se politikat e qëndrueshme për librin, mbështetja për autorët, përkthyesit dhe botuesit, si edhe krijimi i çmimeve letrare me prestigj, ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e
kulturës së leximit, në qarkullimin ndërkombëtar të veprave dhe në forcimin e identitetit kulturor.
Në këtë kontekst, edhe hapësira shqiptare ka nevojë për politika më ambicioze dhe më bashkëkohore për librin dhe letërsinë.
Forum 26 beson se Çmimet Kombëtare të Letërsisë nuk duhet të reduktohen në një procedurë burokratike apo administrative, por duhet të shndërrohen në një festë kombëtare të letërsisë shqipe — një moment vjetor promovimi, reflektimi dhe kremtimi të krijimtarisë letrare, ku vëmendja publike të përqendrohet te libri, autorët, përkthyesit dhe kultura e leximit.
Në thelb, Çmimet Kombëtare të Letërsisë duhet të jenë institucione kulturore me ndikim real në zhvillimin e letërsisë shqipe, në mbështetjen e autorëve, në forcimin e kulturës së leximit dhe në
promovimin e veprave me vlera estetike. Për këtë arsye, ato duhet të mbështeten mbi parime të qarta transparence, profesionalizmi, përfaqësimi dhe gjithëpërfshirjeje, duke reflektuar pluralitetin e letërsisë shqipe bashkëkohore dhe duke kontribuar në krijimin e një hapësire letrare më të drejtë, më të hapur dhe më të ndërlidhur përmes gjuhës sonë të përbashkët.



