Dhunohet gazetari në Shkodër, u godit nga një biznesmen dhe dy persona të tjerë

spot_img
Advertisements

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër, ku gazetari Ervin Dushi është dhunuar nga tre persona. Pas ngjarjes, gazetari është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, ku ka bërë kallëzimin për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat jashtë ambienteve të policisë, Dushi ka bërë me dije se gjithçka ka nisur pas një takimi me pronarin e marketeve “Xhedis” në Shkodër, Prek Gjonin.

Gazetari ka deklaruar se gjatë takimit është përballur me një sulm të papritur, ku tre persona e kanë goditur.

Ai është shprehur se konflikti dhe dhuna ndaj tij kanë ardhur si pasojë e një denoncimi të mëparshëm që ai ka bërë në mbështetje të një punonjëseje të një prej marketeve të administruara nga Gjoni, e cila, sipas tij, kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin.

“Jam takuar me pronarin e marketeve Xhedis në Shkodër dhe pretendim i ishte se kishte kërkuar numrin tim personal avokati i tij pasi pak kohë më parë në një rrjet social kam publikuar disa video dhe i kanë marrë media të ndryshme ku ai kërcënonte një qytetar. Dhe avokati i tij kishte kërkuar takim me mua për të diskutuar çfarë faktesh kemi me këtë U paraqita në një mënyrë miqësore, pasi pak kohë më parë kam pirë dhe një kafe me zotërinë, u paraqita i pambrojtur, nuk prisja goditje. Por ky ishte rezultati i takimit. Pra Xhoni ishte vet i katërti, ku tre nga ata më dhunuan, kurse njëri u ndihmua të më ndihmonte. Tre ata më kanë goditur në mënyrë të pamëshirshme. Goditja më ka ardhur si pasojë e punës time si gazetar”, tha ai.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Shkodrës. Në njoftimin paraprak bëhet me dije se gazetari ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa persona përpara supermarketit “Xhedis”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave të dyshuar, shtetasit Prek Gjoni.

Policia njofton se po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

“Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj”, thuhet në njoftimin e Policisë

spot_img

Latest articles

Related articles