Nisma Kombëtare; ku do të jetë në zgjedhjet bashkiake?

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Si sot në vitin 2023, opozitarizmi shqiptar pati katastrofë elektorale nëpër bashki. Budalliku ishte aq i madh, saqë shumica e kandidatëve opozitarë menduan se njerëzit “skanë ku ikin, do të na votojnë” dhe menduan se njerëzit ua kishin borxh. Njerëzit treguan se kanë ku ikin.

Nga ana tjetër, Sali Berisha vetë, doli tha këto sjanë zgjedhje për bashki, janë zgjedhje për të shpëtuar PD-në (sipas tij). Pyetja ishte: Pse njerëzit e paangazhuar, pse ai që ska rrugë, ska ndriçim, i përmbyten tokat, i përmbytet lagjja, ka probleme me çerdhet, shkollat, hapsirat publike, ska asnjë shërbim bashkiak, do u çoka e do u angazhoka për të shpëtuar Sali Berishën? Kandidatët nuk e konceptuan si kandidatë të cilët fitojnë por si oficerë të cilët qëllim parësor nuk kanë zgjerimin e përfaqësimit me votë por kanë shpëtimin e Sali Berishës! Ky koncept u shoqërua edhe me premtimin për kthimin e LSI-së nëpër bashki, si dhe me tradhëtinë e brendshme të vetë foltoristëve të cilët ditën akuzonin të tjerët si të shitur tek Rama, kurse natën bashkëpunonin me PS, kundër kandidatëve të opozitës. Dhe iu vu kapaku; jo që nuk u fituan bashki të reja por u humbën edhe Tropojë, Kukës, Shkodër, Lezhë, Kurbin, e me radhë.

Ku qëndrojmë sot? A kemi nxjerrë ndonjë mësim nga katastrofa? Nisma Kombëtare do të ketë kandidatë fitues për këshillat bashkiakë në secilën bashki. Pas shpalljes me ceremoni dhe me shumë njerëz e cila do të na marrë edhe pak kohë, do të caktohen zyrtarisht edhe kandidatët përgjegjës. Siç e kam thënë prej ditës së parë, themelimi i vërtetë i një force politike nuk bëhet në sallë hoteli me 50 vetë por bëhet në kutinë e votimit. Themelimi formal bëhet me 300 apo 500 vetë por themelimi real është kutia e votimit; aty kuptohet nëse njerëzit “të kanë dhënë leje” për ta vazhduar rrugën.

Në lidhje me kandidatët për kryetar bashkie do të mbështeten kandidatët opozitarë aty ku partitë e tjera opozitare e kanë kandidatin e mirë dhe përfaqësues; sna intereson kush e kandidon sepse nuk kemi ndërmend të konfliktohemi kot, nëse tjetri apo tjetra ka mençuri dhe integritet, meriton të shpërblehet për qëndrimet që ka mbajtur gjatë jetës. Është shumë e padrejtë që ata të cilët skanë lënë poshtërsi pa bërë, tiu ecë mbarë sepse krijohet bindja se shpërblehet poshtërsia. Do të vlerësohen kandidatët individualisht, kush janë dhe çfarë përfaqësojnë! Qëllimi i përcaktuar tashmë është ndryshimi i drejtuesve të bashkive, sepse u bënë plot 7 vjet që të gjitha bashkitë i drejton Edi Rama dhe nuk është përmirësuar asgjë, krahasuar me vitet që qeverisin dhe buxhetin që manaxhojnë. Hiç asgjë.

Kandidatë ordinerë politikë nuk do të mbështeten, sepse ne besojmë se duhet ndryshuar mënyra si e përfytyrojmë institucionin e bashkisë. Nëse edhe ata që duan të zgjidhen e përfytyrojnë bashkinë njëlloj si këta që janë, ska asnjë vlerë, do të jemi kundër tyre.

Nisma Kombëtare është kombëtariste, nuk pranon ndarje spekteri majtas-djathtas si mjet për t’i mbajtur njerëzit në sherr e në urrejtje të kotë. Shikojmë dhe vlerësojmë politikën dhe individin. Ndaj nëse e majta cakton diku kandidat shumë më të mirë sesa opozita, duhet të mbështetet edhe kandidati i majtë. Rëndësi ka qeverisja e bashkisë. Nuk mundet opozitarizmi të caktojë kandidatë më të këqinj, sepse lind pyetja; pse duhet të angazhohemi për të rrëzuar një kryetar bashkie në detyrë dhe për ta zëvëndësuar me dikë më të keq se ai që ishte? Nuk jam unë me mendimin se 100% e këtyre djathtas, janë automatikisht më të mirë se 100% e këtyre majtas. Jemi kombëtaristë, të gjithë janë shqiptarë, kush ka investuar te vetja për tu shkolluar e ska bërë poshtërsi sepse ka dashur të ruajë fytyrën, meriton të shpërblehet.

Sigurisht, qejfi, dëshira dhe qëllimi politik, janë që ditën e hënë pas të dielës së zgjedhjeve, Edi Rama të ketë më pak pushtet sesa kishte para ditës së zgjedhjeve. Sjellja e Edi Ramës meriton të ndëshkohet e të luftohet. Nuk e preferojmë skenarin kur na duhet të mbështesim kandidatin e Edi Ramës. Mirëpo nuk preferojmë as të diskretitohemi duke mbështetur një kandidat opozitar më të keq se kandidati qeveritar, sepse ndyhemi keq, delegjitimohemi keq ende pa e nisur rrugëtimin. Sepse edhe veten e nxijmë, edhe asgjë nuk zgjidhim.

Në dy-tre bashki, mund të ketë edhe kandidat të Nisma Kombëtare për kryetar bashkie, ta shohim sa do të mundemi t’i bindim faktorët dhe “donatorët” që operacioni të dalë me sukses. Sepse na nevojitet të paktën një bashki për ta bërë model të qeverisjes vendore, pasi një forcë politike nuk mundet të ndërtohet për të nesërmen nëse nuk dëshmon një model qeverisës diku, nëse njerëzit nuk shohin që këta munden të qeverisin. Le të ma marrin ketë skemë edhe partitë e tjera të reja, pasi kjo vetëm do t’i shërbente emancipimit politik të shtetit.

Një sqarim për të mos u dukur sikur po shkruan dikush që përfaqëson nja 300 mijë vota; ne nuk kemi sot fuqi politike të verifikuar sepse nuk kemi kandiduar në zgjedhje. Fuqia politike ndërtohet në vazhdim dhe varet deri në çfarë shkalle do të shkojë. Ky shkrim shkruhet për të shpalosur mendjen, qasjen dhe mentalitetin, për të treguar si e shohim konkurencën për bashki në ketë moment ku ndodhemi.

Edhe diçka të fundit: I propozoj tavolinës së Kodit Zgjedhor të caktojë me ligj të paktën një debat publik midis kandidatëve për kryetar bashkie; ta shohin njerëzit si ata debatojnë me njëri-tjetrin, si e trajtojnë debatin, sa mend kanë në kokë, si e përfytyrojnë bashkinë. Është e nevojshme; mjaft me kandidatë të cilët bëjnë fushatë ferrave ose prej te banaku i lokalit ngrenë dollinë dhe i urojnë jetë të gjatë elektoratit, sepse skanë çfarë thonë më shumë.

Bashkohuni me Nisma Kombëtare.

spot_img

Latest articles

Related articles