Pentagoni publikoi të premten grupin e parë të dosjeve të deklasifikuara që lidhen me raportimet për UFO-t, duke nxitur sërish debatet mbi fenomenet e paidentifikuara ajrore dhe mundësinë e jetës jashtëtokësore.
Në dokumentet e bëra publike përfshihet edhe një raport i astronautit të misionit Apollo 11, Buzz Aldrin, i cili në vitin 1969 deklaronte se kishte parë një objekt “të konsiderueshëm” pranë sipërfaqes së Hënës, si edhe një burim drite të pazakontë që ekuipazhi mendoi se mund të ishte lazer.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se dosjet e mbajtura sekrete për dekada kishin ushqyer spekulime të shumta dhe se publiku amerikan meritonte t’i shihte vetë dokumentet.
Publikimi vjen pas urdhrit të presidentit Donald Trump në shkurt, i cili kërkoi nga agjencitë federale identifikimin dhe deklasifikimin e materialeve që lidhen me objektet fluturuese të paidentifikuara, të njohura tashmë si Fenomene Anomale të Paidentifikuara (UAP).
Paketa fillestare përmban 162 dosje me qindra faqe dokumentesh dhe materiale filmike nga kamera ushtarake në vende të ndryshme të botës. Mes tyre janë pamje të një objekti në formë topi futbolli mbi Detin e Kinës Lindore në vitin 2022, si dhe video të objekteve që lëvizin në mënyrë të çrregullt mbi Irak, Siri dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dokumentet përfshijnë gjithashtu kabllograme të Departamentit të Shtetit, raporte të FBI-së dhe transkripte të misioneve hapësinore të NASA-s. Një raport i vitit 1947 përshkruan dëshminë e ekuipazhit të një avioni të Pan Am, i cili raportoi se kishte parë një “objekt portokalli të ndritshëm” që u zhduk brenda sekondash pas reve.
Një tjetër dokument i FBI-së, i vitit 2023, citon dëshminë e një piloti droni që pretendonte se kishte parë një objekt linear me një dritë shumë të fortë në qiell, i cili u zhduk pas pak sekondash.
Pentagoni tha se ky është vetëm “publikimi fillestar” dhe se dokumente të tjera do të bëhen publike gradualisht në bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë, NASA-n, FBI-në dhe agjenci të tjera federale.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksuan se dosjet nuk përmbajnë prova përfundimtare për aktivitet jashtëtokësor. Një raport i Pentagonit i publikuar në vitin 2024 kishte arritur në përfundimin se shumica e rasteve të raportuara kishin shpjegime të zakonshme, si balona atmosferike, zogj apo satelitë të identifikuar gabimisht.



