Një suplement ushqimor me origjinë nga Gjermania ka ngritur alarmin tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pasi u konstatua prani e bakterit “Salmonella spp”, që konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.
Bëhet fjalë për produktin “Moringa organic”, pjesë e kategorisë së suplementeve ushqimore dhe ushqimeve dietike, për të cilin Shqipëria ka marrë njoftim nga sistemi europian RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed).
Sipas të dhënave të publikuara, produkti i identifikuar mban lotin “C 12105” dhe datë skadence 28.06.2028. Sasia e importuar në Shqipëri ka qenë 12 njësi me peshë 125 gram secila. Operatori eksportues është DRASANVI, SL, ndërsa importues në vend rezulton kompania “Espana Pharm” sh.p.k.
Nga verifikimet në terren është konstatuar se në subjekt ndodheshin ende 6 njësi, të cilat janë bllokuar për asgjësim. Ndërkohë, pjesa tjetër e produktit rezulton të jetë shitur tek konsumatorët. AKU u bën thirrje qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë pranë pikave ku e kanë marrë.
Sipas institucionit, operatori i biznesit ushqimor ka afishuar njoftimet përkatëse në pikat e tregtimit të suplementit.



