Ermal Hasimja
Dje po kaloja vijat e bardha. Vura re makinat ndaluan në të dy krahët. Kjo gjë nuk ndodhte 10-15 vjet më parë kur makinat ishin të plotfuqishme dhe vijat ishin zbukurime.
A mund ta kalojmë këtë ndryshim të thjeshtë pozitiv të shqiptarëve në një nivel tjetër? Unë mendoj se po. Arsyet:
- Brezat e rinj janë shumë më të brumosur me kulturën perëndimore sesa ata mbi 50 vjeç. Kanë udhëtuar më shumë dhe madje shpesh edhe jetuar në Perëndim.
- Brezat e viteve ‘70-’80 janë rritur me mendësinë e mbijetesës në komunizëm. Në kushtet e mjerimit dhe diktaturës së proletariatit asnjë vlerë shoqërore nuk ka dobi. Instikti i mbijetesës zhduk moralin dhe edukatën. Kjo është arsyeja pse impresionoheshim nga rregullat, normat dhe sjellja e njerëzve në Perëndim. Mirëqenia rrit pritshmëritë e njeriut për një nivel më të lartë bashkëjetese.
- Hapja e vendit dhe turizmi nxisin një nivel të ri sjelljeje e komunikimi. Po ikin kohërat kur kamarierët të trajtonin me përbuzje.
- Integrimi në BE, ëndrra jonë, tashmë lidhet me kërkesa të larta e të drejta ndaj qeverisjes: shtet ligjor, luftë ndaj korrupsionit e kriminalitetit. Deri tani kemi dështuar në këto pika, por trysnia është më e lartë dhe pritshmëria e njerëzve gjithashtu. Teksa revoltohemi me zhvillimet e sotme, disa dukuri të pranishme në vitet e para të tranzicionit tani janë të papranueshme. Jo për meritë të qeverisjes, por për shkak se qytetarët nuk i pranojnë më.
Prandaj jam OPTIMIST. Ndryshimi i kulturës politike, njësoj si ndalimi te vijat e bardha, nuk ka për të ardhur paparitur, por gradualisht dhe kryesisht me induksion nga jashtë. Shqiptarët po bëhen gradualisht tepër perëndimorë për të pranuar një qeverisje autoritare orientale.
Futja në lojë e brezave të rinj po ndryshon gradualisht kulturën politike. Shpresa për ndryshim nuk është thjesht slogan, por mundësi e hapur përpara.
Edhe komentet kritike e ironike që mund të ndjekin këtë status provojnë pikërisht se jemi të pakënaqur me realitetin dhe mospranimi i së keqes është hapi i parë i ndryshimit.



