Durrësi u jep sot lamtumirën e fundit dy fëmijëve që u vranë dje nga një shofer i dehur, 57-vjeçari Nikoll Radaçi që i përplasi në trotuar teksa po luanin mesditën e së dielës. Banorët e zonës janë të gjithë të tronditur, ashtu sikur i gjithë vendi.
“Ngjarjen familjet e kanë parë nga televizori, mamaja kishte shkuar në Itali të vizitonte bashkëshortin që ishte sëmurë. Kanë parë ngjarjen nga kamerat, mamaja vetëm bërtet. Ma vranë djalin në derë të shtëpisë.
Babai është shumë sëmurë, me sëmundje të keqe me zor flet. Kjo ngjarje që ka ndodhur na ka prekur të gjithë jo vetëm ata. Një gjë të tillë nuk ia uron as armikut”, rrëfen një banore.
Thirrjet për drejtësinë janë të forta. “Të digjet autori! Ta marrë vesh dynjaja. Jo vetëm unë, por e gjithë Shqipëria po e përjeton”, tha një tjetër grua.
“Jemi të tramaksur. Ishte si në filma. Ishim pa gjumë tërë natën, fëmijët janë të tmerruar. Jemi pa fjalë. Shteti të marrë masa. Nuk kemi fjalë. Nuk ishte hera e parë për atë person. Ka qenë problematik. Kur ishte i pirë s’dinte se çfarë bënte”, tha në tjetër.
Ka akuza kundër shtetit. “Është dhe për faj të shtetit. Ishte njoftuar shteti për këtë rast. Tragjedi! Jemi të tronditur, jemi të lënduar të gjithë shpirtërisht”, tha një tjetër banor.
“U ka dhembur shpirti dhe atyre që nuk e njihnin. Jemi pa fjalë. Dhimbja është e madhe. E gjithë familja është e prekur, e shokuar. Me zemër të ngrirë pasi djali tjetër është në spital”, tha në tjetër.
Policia e Durrësit bën të ditur se 57-vjeçari Nikoll Radaçi do të përballet me drejtësinë për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Familja e autorit u largua nga policia nga frika e hakmarrjes



