Nga Shpëtim Axhami, kreu i PLL
Mbetet për t’u vlerësuar si një hap i guximshëm dhe i domosdoshëm nisma e ndërmarrë në Hungari për hapjen e arkivave të policisë sekrete, në shërbim të së vërtetës dhe forcimit të demokracisë.
Në këtë frymë, Shqipëria nuk duhet të mbetet pas. Hapja e plotë e dosjeve të ish-Sigurimit dhe dënimi i krimeve të komunizmit janë një domosdoshmëri e vonuar, por e pashmangshme. E drejta për të njohur të vërtetën, drejtësia për viktimat dhe transparenca janë themel i një shoqërie demokratike dhe forcojnë orientimin euroatlantik të vendit.
Kërkohen hapa konkretë ligjorë për hapjen e arkivave pa kufizime dhe pa ndikime politike, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Shembulli i Hungarisë dëshmon se përballja me të kaluarën është forcë dhe rruga e duhur për një të ardhme më të drejtë.



