Policia e Shtetit ka zbarkuar sot në ambientet e Equos Resort, ku po zbatohet një vendim për sekuestrimin e pasurive te Ergys Agasit. Në fokus të veprimit janë disa vila të ndërtuara në këtë kompleks, të cilat dyshohet se janë ngritur pa leje ndërtimi dhe më pas janë legalizuar në mënyrë të kundërshtuar me ligjin.
Ndërkohë, dje SPAK publikoi një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Karçanajt, Agasit dhe Beqirajt.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen apartamente, truaj, vila, pyje, ndërtesa, automjete luksoze, llogari bankare në disa institucione financiare, si dhe aksione në subjekte tregtare, në pronësi të Agasit, Beqirajt dhe Karçanajt. SPAK bëri me dije se vlera e pasurive të sekuestruara është mbi 40 milion euro.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK vetëm biznesmenit Ergys Agasi i janë sekuestruar 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.
Vetëm në Tiranë i janë sekuestruar 7 pasuri të llojit pyll dhe ndërtesave 1 dhe 2 katëshe në to në zonën e Petrelës, një pasuri e llojit truall në Lundër, si dhe 6 partamente dhe 7 garazhe. Ergys Agasit i sekuestrohen gjithashtu edhe disa pasuri në Durrës, mes të cilave sipërfaqe truall, një ndërtesë dhe një apartament. Një tjetër truall dhe ndërtesë në bregdetin e Vlorës, në Gjilekë, një automjet Land Rover defender 2023 si dhe tre llogari bankare.



